E Diel, 1 Nëntor 2026

Don Kishoti, sançopançot dhe Dylqinja e Prokurorisë, presion mbi gjyqtarët, pas rekursit për rrugën Durrës-Kukës

Presioni bëhet sepse po afron 16 marsi dhe porositësit e linçimit politik të Lulzim Bashës po shohin se plani i tyre s’po ka sukses. Nga dëshpërimi, institucionet po ndërmarrin presione kamikaze, ndërkohë që mediat e blera po përdoren gjerësisht si dacibaot “Në shërbim të popullit” të regjimit enverist.

Burime shumë të besueshme bënë të ditur mbrëmë për gazetën “55” se ka nisur një fushatë agresive presioni, e Don Kishotit të drejtësisë shqiptare, e sançopançove që paraqitën rekursin e procesit të rrugës “Durrës-Kukës” në Gjykatën e Lartë si dhe e Dylqinjës së Prokurorisë, ndaj anëtarëve të instancës më të lartë gjyqësore në vend. Një turrë telefonatash, që nga ato më jargavitëset, deri tek ato më kërcënueset, të mbushura me kujtesa të mënyrës së si janë zgjedhur në ato poste, të listimit të ndereve që mund të jenë bërë në të shkuarën nga anëtarë të kësaj gjykate, janë pasuar më tej nga kuisje për organizime drekash e takimesh të planifikuara. Në themel të fushatës agresive të presionit mbi Gjykatën e Lartë, s’ka asgjë të përbashkët me vullnetin për të marrë drejtësi, pasi ata që ushtrojnë presion (Don Kishoti, sançopançot dhe Dylqinja) s’e kanë fare problem për emrin e tyre profesional, as për imazhin e tyre në publik, e ca më pak ua ndjen për fajësinë apo pafajësinë e Lulzim Bashës në hetimin që s’duhet të kishte nisur kurrë. Presioni përqendrohet fort te koha, te ai 15 marsi që po ua nxin jetën. Njoftimi i Gjykatës së Lartë, se me këtë datë do të merret vendimi për rekursin, pra me fjalë të tjera, do të konfirmohet parregullsia, nxitimi dhe papërgjegjshmëria e sançopançove dhe e Dylqinjës në nisjen e hetimit, duket se ka nxjerrë gafil porositësit e vërtetë të fushatës për linçimin politik të Lulzim Bashës.
Mbyllja e çështjes me 15 mars do t’u hiqte porositësve mundësinë për ta përdorur hetimin që s’duhej të kishte nisur kurrë, si një kartë elektorale, si një ndihmë nga krahët për Edi Ramën në dëshpërim të plotë. Don Kishoti, sançopançot dhe Dylqinja e prokurorisë nuk shqetësohen fare për fatin e rrugës Durrës-Kukës, as për shkurtimin e rrugës Kukës-Durrës, bile ata s’do të kishin probleme as me kalvarin e rrugës Durrës-Pekin (a ndonjë stacion tjetër kinez), mjaft që odiseja të mbahet gjallë deri në zgjedhje, pasi vetëm për këtë janë të interesuar porositësit e vetëm në bazë të realizimit të kësaj kërkese do të matet edhe performanca e shërbesës për Don Kishotin e Dylqinjën e prokurorisë.
Në fushatën e presionit, protagonistët tanë i kanë skemat e lexueshme. Ajo nis me porositësit, merr udhë burokratike prej atyre që vegjetojnë nëpër institucione e tamtam-et e lëshojnë përditë mediat tona moderne, që s’kanë nevojë të lodhen, pasi u ngjanë tëpkë dacibaove “Në Shërbim të Popullit” apo “Rruga e Partisë” së kohës së Dullës. Edhe dacibaot moderne kanë marrë përsipër një pjesë të punës në këtë fushatë presioni e s’është çudi që këto ditë të gëlojnë në faqet e tyre shantazhe të vogla a kujtime të sikletshme për anëtarët e instancës që tashmë e ka thënë paradhënie se s’ka ndërmend të legjitimojë një proces që është nisur e bitisur vetëm me shkelje.
Organizimi i fushatës në mënyrë arrogante e gati publikisht, pa u shqetësuar aspak se dikush mund t’i koleksionojë këto prova paligjshmërie si fakte të një aksioni të kundraligjshëm, flet për panikun që i ka zënë porositësit dhe për shtimin e natyrës kamikaze, që po përparon tek karakteret e Don Kishotit të drejtësisë dhe Dylqinjës së Prokurorisë.
Të presim e të shohim se sa larg do t’i çojë ankthi se po u skadon koha e misioni s’po përmbushet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›