“Rama hoqi maskën dhe protestoi për fshatin privat turistik që nuk mundi të ndërtonte në Jalë”

Reagon Partia Demokratike pas shpifjeve të kreut të PS-së
TIRANE - Partia Demokratike ka reaguar menjëherë dje nëpërmjet zëdhënësit Gerti Bogdani, pas deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili si në shumë dalje mediatike, në mënyrë parimore përvetëson spekulimet, trillimet, mashtrimet dhe tymnajat në drejtim të institucioneve apo organit qendror qeverisës, që synon të dëmtojë interesat e tij të ngushta klienteliste dhe antiligjore.
Partia Demokratike, hodhi poshtë akuzat e Edvinit, se qeveria paska deklaruar që Banka Botërore ka urdhëruar prishjen e ndërtimeve pa leje në Jalë.
Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani, tha se “qeveria Shqiptare nuk ka deklaruar kurrë se Banka Botërore ka urdhëruar prishjen e ndërtimeve pa leje në Jalë, por si njeri që nuk mund të skuqesh nga asgjë, se fytyrë nuk ke, shpif dhe trillon çdo ditë gjëra të paqena. Edi Rama, Mr. 15%, apo Mr. Dosja, për të mbrojtur aksionet e tij në kompaninë Edil, hoqi maskën sot dhe doli të protestojë për fshatin turistik që do të ndërtojë me kompaninë e tij Edil në Jalë. Qeveria Shqiptare ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Banka Botërore jo vetëm ka pranuar politikat e prishjes së ndërtimeve pa leje, por ka kërkuar gjithashtu që me paratë e projektit të bëhet fotografimi i zonës së bregut për të konstatuar ndërtimet e paligjshme, dhe këto foto t’i dorëzohen institucioneve përkatëse. Prishja e ndërtimeve të paligjshme është një zbatim konstant i ligjit të vendit në të gjitha zonat turistike”, u shpreh Bogdani.
Sipas Bogdanitj, Rama me shpifjet dhe trillimet, me tymnajat që lëshon, mendon të zhurmosh mbajtjen peng të planit urbanistik të Tiranës për llogari të Koçove dhe Edilëve të tij, duke ndëshkuar kështu mbarë qytetarët e Tiranës.
Partia Demokratike i bën thirrje Edil Ramës se “mund të korruptosh ndonjë vizitor që të mësyn ty, për të mbushur xhepat e veta me paratë që u vjedh taksapaguesve, por nuk do të mundësh asnjëherë të shndërrosh Jalën si Tirana, në çifligun tënd dhe të Shalsave të tu”.
Kreu i PS-së tha në një konferencë për shtyp se qeveria po godet institucionet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Bankën Botërore.
Ndërsa, Partia Demokratike deklaroi se këto janë akuza primitive të bëra nga eksponentë politikë që synime kryesore kanë prapavijën e interesave klienteliste.