E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon projekti i rrugës së re Mat-Mirditë

Dibër

Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër konfirmojnë për “Shqip”, se ka përfunduar dhe është diskutuar në këshillin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve projekti i rrugës që do të lidhë rrethet e Matit dhe Mirditës. Në diskutimin e këtij projekti rrugor morën pjesë edhe autoritetet vendore të rretheve përkatës nga Mati dhe Mirdita. Vijëkalimi i kësaj rruge do të jetë: Rrëshen-Perlat-Urakë-Shoshaj-Klos në rrethin e Matit. Ndërkohë, investimi i kësaj rruge është marrë përsipër të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kompanitë projektuese që konkurruan për projektin e kësaj rruge bëhet me dije se në shpalljen e varianteve të mundshme, në përgjithësi kanë mbështetur idenë që traseja e rrugës të ndërtohet në gjurmët e rrugës së vjetër të ndërtuar në kohën e Mbretit Zog, me fare pak ndryshime. Ky aks i ri rrugor që pritet me mjaft interes nga banorët e Matit dhe Mirditës, me lidhje të hershme tradicionale, pa dyshim do kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të mjaft zonave rurale të këtyre rretheve. Veç kësaj, aksi i ri rrugor do të afrojë Burrelin, Bulqizën, Dibrën dhe Maqedoninë me rajonin e Mirditës dhe Kukësit, si dhe do lidhë akset rrugore nacionale të Rrugës së Kukësit dhe Rrugës së Arbrit. Ndërkohë po bëhen përpjekje që lidhja të fillojë në autostradën e rrugës Durrës-Kukës, për të kaluar në qytetin e Rrëshenit, gjë që u kërkua edhe nga autoritetet vendore të këtij rrethi gjatë diskutimit të projektit në këshillin konsultativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›