E Diel, 1 Nëntor 2026

Çifti vjen nga Franca, kërkon mbrojtje

Sipas policisë, motivi i konfl iktit mes tyre mendohet se është sëmundja e djalit

Një grua, e cila sapo ishte kthyer me të shoqin nga Franca, është paraqitur në polici dhe ka kërkuar mbrojtjen e tyre. Ajo ka deklaruar se kishin nisur procedurat për divorc, por shqetësimi i saj ishte djali i sëmurë, pasi i shoqi, babai i tij, nuk donte ta kuronte në Francë. E për këtë ka kërkuar mbrojtje nga policia, duke deklaruar se i shoqi e kishte dhunuar psikologjikisht dhe që nuk kujdesej as për të birin. Historia e çiftit që ka tre fëmijë është bërë problematike sapo ata janë kthyer nga emigrimi, pasi më parë kishin marrëdhënie të mira dhe kjo ka ngritur dyshimet e policisë se diçka kishte ndodhur me ta kur ishin jashtë vendit.

Burimet policore bënë të ditur se vetëm dy ditë më parë, gruaja 33-vjeçare, me iniciale P.C., është paraqitur në Komisariatin Nr.6 dhe ka deklaruar se kërkonte mbrojtje nga policia. Ajo ka shpjeguar se rreth një vit, bashkë me të shoqin kishin emigruar drejt Francës, për të kuruar djalin e tyre. Sipas saj, më parë i shoqi ka pasur një biznes privat dhe pasi i kanë shitur të gjitha, kanë marrë vizë dhe janë larguar. Ata kanë tre fëmijë, një djalë e dy vajza. Djali i tyre është sëmurë dhe për këtë mund të kurohej vetëm në Francë. Menjëherë ata kanë emigruar e për një vit kanë qëndruar në këtë shtet.
Por, pak kohë më parë janë rikthyer në atdhe. Kur të afërmit i kanë parë, janë habitur me çiftin që kishte marrëdhënie shumë të mira para emigrimit, sesi kishte denigruar raporti mes tyre. E pa kaluar shumë ditë, burri A.C. i është drejtuar gjykatës për divorc me të shoqen. Në këto kushte, ata nuk kanë qëndruar bashkë, siç ishin qëkur ishin martuar dhe gruaja është detyruar të dalë nga shtëpia e të strehohet te të afërmit e saj. Ndërsa dy ditë më parë është paraqitur në komisariat, për të kërkuar mbrojtje, duke rrëfyer gjithë historinë.

Fillimisht, ajo është shprehur se ishte dhunuar psikologjikisht nga i shoqi, e për këtë ai i ka kërkuar divorc. Më pas, ajo është shprehur se djalin e mban ai në shtëpi dhe nuk po kujdeset për të, pasi ai ka nevojë për kurim. Sipas saj, ai duhej dërguar në Francë, por i shoqi nuk pranon ta kryejë këtë veprim. Pas marrjes së deklaratës së 33-vjeçares, policia ka pyetur edhe burrin e saj. Por, historia ka ndryshuar. Ai ka shpjeguar se po tentonte që ta çonte djalin në Francë, por nuk mund ta kryente këtë veprim, pasi duhej firma e nënës, mirëpo me të ishte në proces divorci. Policia ka sekuestruar gjithë dokumentacionin dhe aktualisht ka nisur veprimet për ta dokumentuar plotësisht këtë ngjarje. Për policinë, ende mbetet i pazbardhur motivi që i ka çuar ata drejt këtij konflikti, që mendohet se është shkaktuar gjatë qëndrimit të tyre në Francë. Sipas policisë, tashmë mendohet se e gjithë “lufta” mes tyre po kryhet për kujdestarinë e fëmijëve, pasi përgjithësisht çiftet që janë në proces ndarje, bëjnë kallëzime për urdhra-mbrojtje, me qëllim për t’i paraqitur në gjyq si prova kundër njëri-tjetrit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›