Ujkani: “Çani ka shanse të shënojë golin e parë”

Samir Ujkani, futbollisti i Palermos dhe i pari portier shqiptar që aktivizohet në Serinë A, është dëmtuar prej disa ditësh dhe aktualisht ndodhet pranë familjes së tij në Belgjikë. "Jam dëmtuar dhe për 10 ditë do të mungoj për skuadrën time". – tha 19-vjecari për "Ora Sport" gjatë një interviste telefonike për gazetarin e njohur, Jagert Dyrmishi.
"Duhet të bëj një pushim absolut, pasi kam një frakturë në një nga gishtat e dorës. Aktualisht ndodhem në Belgjikë së bashku me familjen time dhe javën e ardhshme do të rikthehem në Palermo", - tha futbollisti i Kombëtares Shqiptare U-21. Ujkani, i cili më parë ka luajtur me të rinjtë e Anderlehtit U-19, nënshkroi verën e kaluar një kontratë 5-vjecare.
"Më vjen shumë keq që nuk munda të luaja qoftë edhe një minutë këtë sezon me Palermon në Serinë A. Është thuajse e pamundur tani, pasi kanë mbetur vetëm 3 javë dhe dëmtimi kërkon ende kohë. Besoj se vitin e ardhshëm do të luaj me Palermon dhe do të kem shansin tim", - tha portieri shqiptar, i cili ishte në bankinë në dy ndeshjet që Palermo luajti në Kupën UEFA.
Ujkani po rritet cdo ditë dhe një kontribut për këtë ka dhe stafi teknik i skaudrës italiane. "Trajneri i skuadrës, Kolantuano, më duket shumëe profesionist dhe më ka garantuar, që edhe një ditë unë do të kem shansin tim. Më ka përkrahur që nga dita e parë dhe mendoj se shumë shpejt do të fitoj besimin e tij".
Kosovari është i bindur se për këtë i duhet të punojë fort. "Duhet të arrij një formë të mirë për ta shfrytëzuar të qenit një skuadër të mirë si Palermo. Këtë sezon nuk bëmë një kampionat të mië dhe nuk arritëm dot të futemi në kupat e Europës. Gjithsesi, te Palermo ndihem mirë".
Në merkaton e janarit te Palermo u transferua edhe shqiptari tjetër, Edgar Cani, i cili luajti edhe minutat e para në Serinë A në ndeshjen Palermo-Atalanta (0-0).
"Jemi shumë shokë me Edgar Canin. Është një djalë shumë punëtor dhe m'u bë qefi që a mundi të debutonte në Serinë A italiane. Ka punuar shumë dhe mendoj se ai ka të gjitha shanset të shënojë golin e parë në Itali. I uroj sukses dhe besoj se një ditë do të jemi të dy titullarë te Palermo". Palermo ndeshjen e ardhshme do ta luajë në transfertë kundër Lacios, ku mund të kemi në fushë edhe një përballje midis të riut Cani me veteranin Igli Tare.
Ujkani, i cili ishte pjesë e listës së trajnerit të Bushatit për ndeshjen e anuluar kundër Greqisë U-21 në Vlorë, ndihet i gëzuar me heqjen e pezullimit të Shqipërisë nga FIFA. "Jam shumë i gëzuar për rikthimin e Shqipërisë në FIFA dhe UEFA dhe heqjen e masës së pezullimit. Një gjë e tillë na ndihmon ne, që të luajmë ndeshjet eliminatore me ekipin Shpresa", - përfundon Ujkani, , i cili menjëherë pasi morri pasaportën shqiptare luajti me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë kundër Italisë U-21, në kualifikueset e Kampionatin Europian U-21.