E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujkani e Jankoviç: “Ne miqtë kundër luftës”

Futbolli është ndryshe nga lufta, topi që shpesh ndan gjërat në mënyre të cuditshme, kësaj radhe bashkon, riforcon, bën të përqafohen dy lojtarë që vinë nga popuj që prej shekujsh janë rivalë. Kjo ndodh në dhomat e zhveshjes së Palermos, ku miqësia midis Bosko Jankovic, serbit nga Beogradi, 24 vjec dhe Samir Ujkanit, 19, portierit kosovar, por edhe me pasaportë belge, është e fortë dhe nuk prishet nga skoriet e politikës dhe ndarjes, pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës, madje mund të rishpërthejë.
Dy djem të ditëve tona, larg vetëm fizikish nga vendet e origjinës, për faktin se gëzojnë statusin e sportisti, por me gjithatë janë të vëmendshëm për problemet e njerëzve të tyre. Shokë dhome, qysh kur Ujkani, i cili është portieri i tretë i Palermos, thirret rregullisht në skuadrën e parë. Miq të lidhur edhe për faktin se kanë vështirësi me gjuhën italiane, por profesionistë me të ardhme. Janë të qeshur dhe të gatshëm për të folur jo vetëm për futbollin. Të bindur se historia e miqësisë së tyre nuk do të ndryshojë, lidhja nuk do të prishet. Edhe pse midis dy vendeve të tyre ka një armiqësi, një serb dhe një kosovar mund të jenë vellezër.
Në cfarë gjuhe do ta bëjmë këtë intervistë?
UJKANI: Flas më mirë anglisht, por e provojmë në italisht
JANKOVIC: (Befasohet) Nëse Samiri flet në italisht, atëherë edhe unë do ta bëj gjë të tillë...

Samir, tregomë për Kosovën tënde dhe ti Bosko për Serbinë.
UJKANI: Kam lindur në Reshnik, ku kam qëndruar për disa vite dhe më pas familja ime emigroi në Belgjikë. Atje, diku afër Bryzhit, jeton akoma vëllai im, Emiri. Kam një tjetër motër, të martuar, Liridjonën. Prindërit e mi jetojnë me mua në Palermo. Babai në Belgjikë ka bërë punë të ndryshme dhe tani dëshiron të clodhet. Emri im rrjedh nga feja ime, që është ajo myslimane, "mirë" është një prapashtesë që parakupton mirësinë. Në Kosovë për herë të fundit kam shkuar dy vjet më parë dhe sa herë që shkoj, gjej përmirësime.
JANKOVIC: Jam rritur në gjallërinë e "Crvena Zvezda"-s. Në Beograd shkoj sa herë që mundem, hera e fundit ishte të hënën e kaluar. Kur jam atje flas me shumë gazetarë serbë që ndjekin eksperiencën time në Itali. Këtu (në Itali) kam sjellë gruan time, Dijana, jetojmë në qendër dhe më pëlqen shumë.

Thoni secili dicka për njeri-tjetrin.
UJKANI –Bosko është shumë korrekt. Më pëlqen se nëse e thotë një gjë, e mban. Një mik i vërtetë që më ka ndihmuar shumë të integrohem në muajt e parë te Palermo, të cilët kanë qenë të vështirë para së gjithash për gjuhën (italiane).
JANKOVIC: Samiri është një person shumë i mirë, kemi bërë miqësi menjëherë. Është i ri, simpatik dhe do të bëhet një portier i madh.
Kosova shpalli pavarësinë. Mendimi juaj?
UJKANI: Besoj se do të jetë më mirë për ne, për identitetin tonë si popull. Duhet të heqim nga kujtesa frikën. Janë pak të cmendurit që dëshirojnë luftë midis dy vendeve tona.
JANKOVIC: Unë mendoj se ky do të jetë një problem për Europën, një histori që ekziston prej shumë vitesh. Për mua Kosova është një rajon i Serbisë, është e njëjta gjë si ajo midis Skocisë dhe Anglisë, ose në Spanjë me rajonet Baske, por këtu nuk flitet për pavarësi.

Ky ndryshim opinionesh shoh se nuk ju pengon të keni midis jush një raport të shkëlqyer.
UJKANI: Me Boskon kalojmë shumë kohë bashkë, kemi të njëjtin pasion për futbollin dhe filmat. Shohim së bashku DVD italiane me titra në gjuhën angleze për të mësuar gjuhën. Unë nuk kam asnjë problem të kem miq serbë. Edhe te Anderlehti kisha me Nenad Jestrovic.
JANKOVIC: Midis nesh nuk flasim kurrë për politikë, edhe pse më pëlqen. Në futboll raporti midis një serbi dhe një kosovari është u ndryshëm. Jemi lojtarë, jo ushtarë.

A mund të luhet një ndeshje miqësore Kosovë-Serbi?
UJKANI: Unë tashmë luaj për Kombëtaren shqiptare. Nëse do të formohet ajo kosovare, jam gati.
JANKOVIC: Ndoshta për ne lojtarët nuk do të ishte problem, por për tifozët po.

Flasim për futboll. Kush janë idhujt tuaj, djema?
UJKANI- Në Belgjikë më pëlqenin Ceh dhe Bufon. Por, qëkur kam ardhur në Itali, jam i cmendur pas Doni (Roma) dhe Hulio Sezar (Inter). Më pas vjen Xhimi Fontana i Palermos. Shikoj, studioj, kërkoj të vjedh sekretet.
JANKOVIC: Stankovic është një lojtar i madh, Savicevic ishte i tillë. Është e pabesueshme që Kombëtarja jonë nuk ka arritur kurrë të ndërtojë grupin e duhur për të arritur rezultate me kaq shumë talente. Një idhull? Më parë thosha Toto Skilaci. Tani them Toti. Dhe Amauri. Është një "kafshë".
Kush janë dy lojtarët
Ujkani
Samir Ujkani lindi më 5 korrik 1988 në Reshnik (Kosovë). Zotëron edhe pasaportë belge, pasi jeton në atë vend qyshkur ishte fëmijë dhe tani luan si portier i Shqipërisë U-21. Ujkani është rritur në sektorin e të rinjve të Anderlehtit dhe Palermo e zgjodhi pasi e pa në aksion në Turneun e Viarexhos në vitin 2007. Deri tani ka luajtur me të rinjtë e skuadrës së Palermos dhe me skuadrën e parë ka qëndruar në bankinë në një ndeshje kampionati kundër Lacios dhe tre në Kupën e Italisë, dy në Kupën UEFA.
Jankovic
Lojtari i Kombëtares serbe shënoi 9 gola në ligën spanjolle sezonin e kaluar me Majorkën. U ble nga Palermo gjatë merkatos së verës së kaluar, që pagoi për kartonin e tij 5 milionë euro, duke nënshkruar një kontratë 5-vjecare. Do të mbushë 24 vjec më 1 mars. Me "Crvena Zvezda"-n fitoi tre kampionate në Serbi dhe ka luajtur 40 ndeshje me Kombëtaren A dhe U-21. Me Palermon deri tani ka luajtur 17 ndeshje (13 në kampionat) dhe ka shënuar 2 gola: kundër Mlada Boeslav në Kupën UEFA dhe kundër Kaljarit në Serinë A.
Marrë nga "Corriere dello sport"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›