E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani sfidon Interin: Nuk luajmë për barazim

Samir Ujkani do të ketë një punë aspak të lehtë në ndeshjen e sotme kundër Interit, një skuadër e mbushur me elementë cilësorë.

Në një intervistë dhënë për Supersport, portieri i kombëtares shqiptare ka deklaruar se Novara nuk do të luajë për një barazim, por për të kërkuar 3 pikët, aq më tepër që bën debutimin në Serinë A përpara tifozerisë së saj. “Me Interin nuk do të kënaqemi me një barazim. Do të kërkojmë tre pikët, sepse për ne dhe për gjithë klubin kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, - deklaroi Ujkani. – Unë e di që do të kem përballë një ekip të mbushur me yje dhe me sulmues të një niveli shumë të lartë, si Forlan, Milito apo Pacini. Por, personalisht do të bëj gjithçka që ata të mos shënojnë. Luajmë në fushën tonë dhe aty në vitet e fundit kemi qenë të pathyeshëm, kështu që mendoj se Interi nuk do ta ketë të lehtë”, shtoi më tej gardiani kuqezi.

Për Samir Ujkanin është sezoni i parë si titullar në Serinë A edhe pse ai ka debutuar në këtë kategori kur mbante veshur fanelën e Palermos. Novara ka arritur një barazim dhe një humbje në dy ndeshjet e para.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›