Ujqerit shtojne sulmet ne Mallakaster, dy kapen gjalle
Braktisja e fshatrave dhe mosdëmtimi i pyjeve ka shtuar numrin e kafshëve të egra në Rrethin e Mallakastrës. Ujqërit kanë nisur të shfaqen gjithnjë e më shpesh e gjithnjë e më të rrezikshëm në zonë. Prej disa javësh banorët e fshatrave kishin raportuar për zhdukjen e deleve, qengjave dhe viçave të porsalindur. Pranë drejtorisë së bujqësisë së rrethit, raportimet për humbje të gjësë së gjallë janë në numër shqetësues.
Specialistët veterinerë, pasi janë siguruar se kafshët nuk ishin të sëmura, kanë pretenduar se ato ishin grabitur nga kafshët e egra. Dyshimet e specialistëve janë vërtetuar pas kapjes së dy ujqërve nga një bari në fshatin Klos të Mallakastrës. Kjo ka vërtetuar të gjitha hamendësimet e ngritura prej disa javësh. Bariu Teki Shehu, banor i fshatit Klos, i cili ka kapur të gjalla dy egërsirat, tregon: “Tufa e bagëtive vinte duke u pakësuar dhe për dy javë më kanë humbur tetë krerë. Unë me to jetoj. U shqetësova ndaj vendosa të merrja masa, duke bërë leqe pranë vendit ku lija dhentë në kullotë dhe gjatë natës”.
Ai shpjegon se ka ngritur dhjetë leqe me tela. Tri ditë pas vendosjes së kësaj “infrastrukture” mbrojtëse u panë rezultatet e para. Ai mundi të kapte dy ujqër. Njërin prej tyre e ka futur në një kafaz, ndërsa tjetrin e ka lidhur me zinxhir në një shtyllë. Që prej së martës dy ujqërit janë sistemuar në oborrin e shtëpisë së Teki Shehut, duke u kthyer në vendin më të frekuentuar të fshatit. Ndërkohë, të tjerë banorë të Mallakastrës pohojnë ekzistencën e tufave të ujqërve në zonat e pyllëzuara të rajonit. Kështu banorët e Ruzhdies pohojnë se kanë pësuar humbje të mëdha në shpezë dhe dhen. Tashmë ata bëjnë roje natën për t’u mbrojtur nga ujqërit. Specialistët e bujqësisë e shpjegojnë daljen e kafshëve të egra me temperaturat e ulëta, si dhe me mosdëmtimin e sipërfaqeve të pyjeve në disa rajone.
Kafshët grabitqare janë shndërruar në shqetësim edhe për zonën e kullotave të Lunxhërisë dhe Çajupit në Rrethin e Gjirokastrës. Gati një muaj më parë kope me ujqër të uritur kanë sulmuar bagëtitë e imta në mes të ditës, duke u shkaktuar dëme të pallogaritshme barinjve të zonës. “Katër qengja m’i rrëmbeu sy për sy ujku dhe u largua i ndjekur nga qentë. Kam 25 vjet që mbarështoj bagëti të imta, por një egërsi të tillë nuk e mbaj mend”, tha bariu Nase Gega, duke shtuar se ujqërit nuk kanë kursyer as qentë e stanit dhe as egërsirat e tjera të malit, baldosat dhe çakejtë.
“Ujku bën kërdinë në bagëti në mes të ditës në afërsi të fshatrave dhe qendrave të banuara dhe ne ndihemi të pafuqishëm për t’u mbrojtur. Në kopenë time dhe në stanet fqinjë deri tani janë rrëmbyer rreth 50-60 krerë bagëti, kryesisht qengja të porsalindur që janë mbytur nga ujqërit”, tregon bariu Miri Lekloti. Barinjtë nuk mund ta shpjegojnë pse janë rishfaqur kopetë e ujqërve, por thonë se vetmja zgjidhje është riaktivizimi i Shoqatës së Gjuetarëve për të ndërmarrë një fushatë të gjerë kundër kësaj egërsire që po shfaros bagëtitë.