Rritet çmimi i gazit dhe druve te zjarrit
Qyteti i Beratit ka regjistruar dje temperaturën më të ulët të vitit dhe borën e parë. Ulja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që të rriten ndjeshëm kërkesat për gaz të lëngshëm dhe dru për ngrohje. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, çmimi i gazit ka shkuar në 160 lekë për litër nga 140 lekë që kushtonte më parë. Qytetarët e Beratit janë gjetur të papërgatitur për këtë rritje çmimi. Në të gjitha pikat e gazit të lëngshëm, një bombol gazi prej dhjetë litrash gaz të lëngshëm ka kushtuar 1600 lekë, duke regjistruar kështu çmimin më të lartë të kohëve të fundit. Tregtarët e pikave të tregtimit të gazit shprehen se rritja e çmimit ka ardhur si rezultat i ndryshimit të çmimit në pikat e shitjes me shumicë. Ndërkaq rritje të çmimeve kanë pësuar ditët e fundit dhe drutë e zjarrit, që kanë nisur të përdoren më shumë si alternativë ngrohjeje në këtë qytet. Një metër kub dru dje është shitur me 2500 lekë nga 2200 lekë që tregtohej një muaj më parë. Çdo ditë e më tepër qytetarët përballen me spekulimet në çmimet e gazit të lëngshëm dhe druve të zjarrit, duke u bërë kështu të papërballueshme për të ardhurat e qytetarëve.