E Shtunë, 31 Tetor 2026

Termometri zbret ne -17 grade ne Kukes

Bora dhe ngricat vështirësojnë qarkullimin në rrugë. Shtohet numri i fshatrave të izoluar

Temperaturat e ulëta mbajnë mbërthyer të gjithë rajonin verilindor të vendit. Gjatë dy ditëve të fundit, ngricat dhe reshjet e borës kanë krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në akset nacionale. Ndërkohë që era e fortë ka krijuar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike, por edhe me ujë të pijshëm në disa zona të thella malore.

Kështu në zonat malore të Kukësit, si dhe në qytet, natën e shkuar dhe mëngjesin e djeshëm janë shënuar temperaturat më të ulëta të këtij fillim dimri, ku kanë ngrirë edhe një pjesë e tubacioneve të ujësjellësit. Shërbimi meteorologjik i forcave ajrore në Kukës tregon se në orët e natës, temperatura ka zbritur – 13 gradë Celsius në qytet, ndërsa në zonat malore termometri ka shënuar deri në –17 gradë Celsius. Ndërkaq në qytetin e Kukësit dhe në disa fshatra, një pjesë e tubacioneve ka ngrirë, duke shkaktuar edhe dëme. Specialistët kanë sqaruar se gjatë mëngjesit të së martës, tubacionet janë dëmtuar nga akulli. Ndërkohë që disa nga cisternat në tarracat e pallateve, si dhe një numër tubash ishin çarë. E njëjta situatë ka qenë edhe në zonat rurale, ku temperaturat e ulëta kanë ngrirë disa ujësjellës lokalë.

Ndërkaq ngrica dhe akulli kanë krijuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve. Disa rrugë janë bllokuar dhe është kërkuar ndërhyrja e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve. Vijon të jetë problematik qarkullimi në akset Kukës-Peshkopi ku automjetet mund të kalojnë vetëm me zinxhirë, si dhe rruga Bajram Curri-Qafë Mali dhe Shëmri-Qafë Mali, ku gjithashtu automjetet duhet të vendosin zinxhirë dëbore.

Aktualisht mbeten të bllokuara tri komuna të Rrethit të Kukësit, si: Gryka e Çajës, Arrni dhe Zapodi, si dhe një pjesë e Bushtricës, pa llogaritur fshatra të veçantë të komunave që llogariten të qarkullueshme.

Ndërkohë në Qarkun e Dibrës, temperaturat e ulëta dhe era e fortë kanë izoluar disa komuna dhe fshatra. Shkak është bërë bllokimi i rrugëve nga akulli, ndërkohë që ka pasur edhe ndërprerjeje të energjisë elektrike. Probleme ka pasur edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë, për shkak të ngricave, sidomos në segmentin e quajtur “Pishat” në Fushë-Bulqizë, Qafa e Buallit etj. Ndërkohë, autoritetet lokale njoftojnë se edhe dy rrugët e tjera nacionale ajo: Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Librazhd, janë të bllokuara, pasi trashësia e borës shkon deri në 50 centimetra.

Situata vijon të jetë më problematike në akset rrugore rurale, që janë të bllokuara dhe me probleme të shumta. Në komunat Zerqan dhe Ostren në Rrethin e Bulqizës lëvizet vetëm me zinxhirë për t’u lidhur me akset nacionale. Ndërsa mjaft fshatra të këtyre komunave si: Okshtun, Oreshnjë, Lejçan, Tërnovë, Smollik, Zall-Strikçani etj., kanë mbetur jo vetëm të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora dhe ngricat, por dhe pa energji elektrike. Izolimit të Komunave Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Macukull, dje u janë shtuar komuna të tjera të këtij qarku si: Trebisht, Xibër, Derjan etj.

Stuhitë e borës kanë krijuar probleme duke lënë pa energji jo vetëm komunat e Ulzës dhe Komsisë në Rrethin e Matit, që prej më shumë se një jave kanë mbetur në terr për shkak të djegies së një transformatori në HEC-in e Ulzës, por edhe fshatra të veçantë në zona të thella malore, të komunave të mbetura në izolim. Ndërkaq burime nga Prefektura e Dibrës garantojnë se situata është nën kontroll dhe po punohet për bllokimin e akseve problematike.

Situata vazhdon të jetë problematike edhe në Juglindje të vendit. Disa fshatra të Rrethit të Korçës që të hënën patën probleme për shkak të dëborës, dje janë goditur nga temperaturat e ulëta, që kanë bërë të vështirë qarkullimin në rrugët e ngrira. Problematike mbetet situata edhe në disa fshatra të Rretheve Librazhd dhe Gramsh të Qarkut të Elbasanit, ku reshjet e dëborës kanë bërë të vështirë qarkullimin në rrugë.

Shtabet e emergjencës në zonat e sipërpërmendura janë duke koordinuar punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe hedhjen e skorjeve dhe kripës për të lehtësuar qarkullimin. Deri tani, në asnjë nga këto zona nuk është shënuar ndonjë rast emergjence.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›