Ukraina fluturon me Shevcenkon

Ndeshjet e para në fazën e grupeve u mbyllën me sfidën ndërmjet Ukrainës vend bashkë-organizator dhe Suedisë, të luajtur në stadiumin “Olimpik” të Kievit. Ukrainasit e drejtuar nga Oleg Blokhin triumfuan me rezultatin 2-1, me dy gola të 36-vjeçarit Andrij Shevçenko, falë të cilëve vendasit arritën të përmbysnin avantazhin e përkohshëm të nordikëve.
Në pjesën e parë të lojës, dy skuadrat më tepër janë studiuar, ndërsa tentativës së dyfishtë të Shevçenkos dhe Jarmolenkos iu përgjigj menjëherë Ibrahimoviç, devijimi me kokë i të cilit u përplas në shtyllë. I pafat kapiteni i nordikëve që koordinohet si duhet, bën gjithçka mirë, por fati nuk është më të.
Fraksioni i dytë i lojës nisi vrullshëm, me Suedinë që shënoi në të 52-tën me Zlatan Ibrahimoviç. Bomberi i Milanit e dërgoi topin në rrjetë pas një harkimi të Kallstrom. I jashtëzakonshëm gjesti teknik i sulmuesit, që nxjerr jashtë loje mbrojtësin dhe shënon.
Por, reagimi i Ukrainës ishte i menjëhershëm dhe vetëm 3 minuta më pas, Shevçenko realizon golin e barazimit, duke ngritur peshë entuziazmin e tifozëve në Kiev. Ai ka shfrytëzuar maksimalisht harkimin e Jarmolenkos dhe shënon me potencë.
Me kthimin e baraspeshës, ukrainasit nuk u kënaqën, por vazhduan të ngulmonin për golin e fitores dhe devijimi fatlum drejt rrjetës mbante sërish firmën e Shevçenkos. Në minutën e 61-të, me një tjetër goditje me kokë, pas zhvillimeve të një goditje këndi, ai fitoi duelin ajror me Ibrahimoviç dhe i dhuroi fitoren skuadrës së tij.
Në këtë mënyrë, Ukraina bëhet skuadra e parë organizatore, që fiton ndeshjen debutuese në Europian, pasi vetëm pak ditë më parë Polonia u bë përfaqësuesja e dhjetë që dështonte në këtë mision. Skuadra e Blohin merr edhe kryesimin e Grupit D me 3 pikë, duke lënë pas vetes Francën dhe Anglinë që kanë nga 1.