E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ukrainasit presin në “besë” Hidin

11/03/2005  Nga ekstremi në ekstrem. Kjo është ajo që ndodh jo vetëm në fushat e futbollit, por edhe jashtë saj. Nëse vetëm pak ditë më parë flitej për një transferim të sigurtë të portierit të Tiranës, Isli Hidi, në Ukrainë, te skuadra Metalurg Zaporozhya, vetëm dje gjithçka ka rezultuar një tentativë e dështuar. “Gardiani” i portës së bardhebluve nuk ka shkuar të martën drejt ish-Republikës së Bashkimit Sovjetik, ashtu sikurse ishte parashikuar. Krejt papritur ai është rishfaqur në stërvitjen e Tiranës, duke anuluar fluturimin drejt Ukrainës, për të cilin kishte deklaruar se kishte rezervuar edhe biletën. Por, kjo duket se nuk ka ndodhur krejt rastësisht. Gjithçka vjen, pas jokorrektësisë së palëve, të përfshira në paramarrëveshjen në parim, të arritur më parë. Dita e parashikuar për udhëtimin e futbollistit drejt Ukrainës, ka nisur me shtyrjen e udhëtimit për arsye të ndryshme. Por, kjo duket se nuk ka qenë arsyeja e vërtetë, pasi vetëm pas kësaj, gjërat kanë marrë tjetër rrjedhë, pikërisht të padëshiruarën që ka çuar në një fund që nuk ka kënaqur asnjërën palë. Drejtuesit ukrainas kanë kërkuar të reduktojnë ofertën që i kishin bërë më parë, futbollistit shqiptar. Pas diskutimeve të gjata, tratativat përfundimisht janë ndërprerë, pasi portieri i Tiranës nuk e ka mirëpritur ndryshimin e qëndrimit të drejtuesve të klubit Metalurg Zaporozhya. “Nuk udhëtova për në Ukrainë, pasi në momentet e fundit dolën disa probleme, të cilat ndikuan në prishjen e marrëveshjes paraprake që kishim arritur më parë - rrëfen vetë Hidi, pas stërvitjes së djeshme me bardheblutë në fushën ‘Skënder Halili’. - Ne kishim rënë dakord për shumën dhe kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës nga ana ime. Por, pak para udhëtimit më kërkuan që të shtyja fluturimin. Ndërkohë që më pas hapën diskutime për reduktimin e ofertës. Por, një gjë e tillë nuk më kënaqi. Oferta e re e tyre ishte e papranueshme për mua, kështu që vendosa që ta mbyll përfundimisht këtë muhabet”. Tashmë, atij nuk i ngelet gjë tjetër, vetëm se të bashkohet sërish me bardheblutë, me të cilët kishte bërë edhe ndërprerjen e kontratës, pak kohë para fluturimit të parashikuar. Sigurisht që për drejtuesit e Tiranës, rikthimi i portierit nuk është problem. Edhe vetë ata e kanë mirëpritur vendimin e Hidit, duke e pranuar menjëherë në grup. “Më vjen keq që transferimi nuk u realizua - vazhdon më tej Hidi. - Tashmë gjithçka në lidhje me kalimin tim te Metalurgu është mbyllur. Skuadra ime do të vazhdojë të jetë Tirana. Këtu ndihem mirë dhe kam besim se gjërat do të ecin në rrugën e duhur”. Po ashtu portieri tashmë ka si synim kryesor rikthimin në formacionin e parë të bardhebluve. Dhe për këtë do të përballet me konkurrencën e Nallbanit, edhe pse ai pranon se qëllimi për t’u transferuar në një kampionat të huaj, me mirëkuptimin e palëve, e ka shmangur atë nga vendi si tutullar, mes dy shtyllave të kampionëve në fuqi të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›