Ukrainë,Timoshenko humb ndjenjat
Ish-kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko humbi vetëdijen për më shumë se 2 orë në qelinë e burgut ku po vuan dënimin për 7 vjet burg nën akuzën e korrupsionit.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i partisë së ish-kryeministres, parti e cila aktualisht është në opozitë.
Sipas tij Julia Timoshenko ka humbur vetëdijen pasi ka marrë një kurë kundër një sëmundje virale. Kura i është dhënë nga mjekët e spitalit të burgut.
Ndërkohë, avokati ligjor i Timoshenkos tha se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 6 janar. Ai akuzoi policinë e burgut për neglizhencë, pasi sipas tij, ndërhyrja e tyre për të parë gjendjen e ish-kryeministres ka qenë e vonuar me 20 minuta.
Gjithsesi, burimet si nga partia e Timoshenkos, ashtu edhe nga avokati ligjor i saj, bëjnë me dije se gjëndja shëndetësore e ish-kryeministres, tashmë është e stabilizuar.