E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan: Të marrim masa, Siria në prag të luftës civile

Në një deklaratë për shtyp, kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka paralajmëruar se Siria është në prag të një lufte fetare, civile dhe racore. Më tej, ai ka shtuar se Turqia, si fqinj i saj, duhet të marrë rol udhëheqës në zgjidhjen e situatës. Erdogan ka akuzuar regjimin e Presidentit Bashar al-Asad për vrasjen pa mëshirë të njerëzve të tij. “Situata në Siri është duke shkuar drejt një lufte religjioze, civile e racore dhe kjo duhet të parandalohet. Turqia duhet të marrë rol udhëheqës këtu, sepse një luftë civile në këtë vend, mund të shkaktojë problem edhe për Turqinë. Situata aktuale paraqet kërcënim për Turqinë”, ka thënë Erdogan. Ai po ashtu ka bërë të ditur se Turqia ka nisur zbatimin e sanksioneve kundër udhëheqësve siriane. Turqia ka kritikuar me muaj shtypjen që u ka bërë protestuesve opozitarë regjimi i Sirisë. Kombet e Bashkuara thonë se dhuna në këtë vend u ka marrë jetën mbi 5 mijë personave, që nga shpërthimi i saj në marsin e kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›