E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainë,Timoshenko:Kriza ka përfunduar

Kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko ka deklaruar se kriza politike në vend ka përfunduar dhe është zotuar se do të sjellë njerëz të rinj për të forcuar ekipin qeveritar për të frenuar efektet e krizës financiare botërore në Ukrainë. Timoshenko iu drejtua ministrave të saj një ditë pas krijimit të një koalicioni qeveritar me rrënjë nga 'Revolucioni Portokalli' i vitit 2004. Kjo deklaratë me sa duket i jep fund mosmarrëveshjeve disa mujore të Timoshenkos me presidentin Viktor Jushçenko. "Jam e sigurt se përfundimi i krizës politike na jep një shpresë më të madhe që Ukraina do t'i kapërcejë gjitha sfidat nga kriza financiare botërore pa trazira", u shpreh ajo. "Meqenëse jemi bërë më të fortë në këtë betejë, tre grupet në koalicionin e gjerë, kanë rënë dakord të krijojnë një ekip anti-krizë që përfshin të gjitha fraksionet në parlament për të çuar më tej dhe për të miratuar një plan veprimi të qeverisë për krizën", tha Timoshenko. "Qeveria po konsolidohet me këtë ekip antikrizë. Mendoj se në ditët e ardhshme ne do të forcojmë qeverinë. Do të sjellim njerëz të rinj", theksoi kryeministrja e Ukrainës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›