E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen importet e fishekzjarrëve

19/12/2008  Aktualisht po zhvillohen kontrolle në tregjet kryesore për sasitë e mallrave

Dogana: Tre herë më pak sasia në krahasim me tre muajt e fundit të 2007-s

Tregtarët e fishekzjarrëve i kanë ulur sasitë e importuara gjatë muajve të fundit të vitit. Shifrat flasin për gati tre herë më pak fishekzjarrë të zhdoganuar nga portat zyrtare hyrëse në vendin tonë. Të dhënat statistikore të Drejtorisë së përgjithshme të Doganës tregojnë se nëse në muajt tetor - nëntor 2008 janë futur rreth 92 ton fishekzjarrë dhe 15 ton pluhur dhe lëndë plasëse, në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë zhdoganuar 243 ton fishekzjarrë dhe 342 ton pluhur dhe lëndë plasëse.

Importet

Në pamje të parë duket se në krahasim me festat e fundvitit 2007-s ky vit do të jetë më i qetë. Por fakti që janë ulur importet gjatë muajve të fundit nuk do të thotë se në vend nuk ka sasi të mjaftueshme lëndësh plasëse për të ndezur ditët e fundit të vitit që po lëmë pas. Tregtarët me pakicë në tregjet e ndryshme të Tiranës shprehen se kanë depozituar sasi të mjaftueshme të fishekzjarrëve nga viti i kaluar, ose e importojnë atë gjatë gjithë vitit. Por ata shprehen se edhe furnizimi kryhet nga disa fabrika në vend dhe përveç kësaj nuk mohojnë edhe faktin e futjes kontrabandë të lëndëve plasëse dhe fishekzjarrëve, siç ka ndodhur edhe vitet e kaluara. Ndërkaq, sipas të dhënave në faqen zyrtare të administratës doganore duket se shifrat kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Në tabelën përmbledhëse të tregtisë së jashtme vihet re se eksplozivët, prodhimet piroteknike, shkrepëset, lidhjet piroforike, substancat e ndezshme kanë qenë 657 ton në vitin 2005, ndërsa kjo shifër është ulur në 490 ton në vitin 2006, por rezulton të jetë rreth 956 ton në 2007-n dhe rreth 2 148 ton në vitin 2008, për shtatë muajt e parë të vitit.

Kontrollet

Marrë shkas nga eksperienca e viteve të kaluara, policia e rendit, grupet task-forcë të Drejtorisë së Kufirit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë janë duke ushtruar kontrolle të imtësishme në tregje për këtë problem. Burime të këtyre institucioneve pranojnë se grupet e kontrollit janë shpërndarë te tregu i Kombinatit, te tregu Çam apo te ai i Medresesë, për të verifikuar mallin e futur në treg jo vetëm për datën e skadencës, por edhe nëse këto mallra kanë hyrë kontrabandë.

Precedentët e plagosjeve

Vit pas viti festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri shoqërohen me një numër të madh të plagosurish nga fishekzjarrët dhe lëndët plasëse. Në repartet e urgjencave të spitaleve të rretheve shënohen mesatarisht 20 – 40 raste gjatë javës së parë të vitit të ardhshëm. Mes tyre kanë qenë së shumti fëmijë që nuk janë të informuar për mënyrën e përdorimit ose kanë rënë viktima të mallrave të skaduara. Por mes të plagosurve ka edhe të rritur. Rastet më të shpeshta janë ato të plagosjeve dhe dëmtimeve në sheshet e qyteteve, ku fishekzjarrët hidhen në mes të turmave. Nuk janë vetëm fishekzjarrët, por edhe lëndë të tjera si kapsollat që në raste pakujdesie mund të shkaktojnë dëmtime të personave që tentojnë t’i ndezin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›