E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapot e bandave të Durrësit e të Lushnjës, pronat në bregdet



Një sektor i ri është krijuar në Ministrinë e Financave për administrimin e pasurive të sekuestruara nga bandat kriminale. Agjencia e administrimit të pronave të konfiskuara hyn në veprim sapo gjykata nxjerr urdhrin e bllokimit të pronave. Agjencia ka për kompetencë administrimin e pronave dhe mbledhjen e të ardhurave në emër të shtetit.

TIRANE – Anëtarë të grupeve kriminale të akuzuara për një sërë krimesh të rënda kanë vendosur pasuri të shumta në zonat bregdetare të Shqipërisë. Sipas të dhënave nga prokuroria, nga personat e akuzuar për krime të rënda, i dyshuari si drejtues i bandës së Durrësit Lulzim Berisha dhe i pandehuri si drejtues i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, figurojnë “më të pasurit”. Në total prokuroria ka sekuestruar 25 mijë metra tokë, 70 mijë metra troje dhe sipërfaqe biznesi, 3900 metër katror apartamente, 25 makina, 3 kamionë, 52 milionë lekë, 475 mijë dollarë dhe 2.5 milionë euro. Bandës së Lushnjës i janë sekuestruar: 15 mijë metër katrorë tek Laguna e Karavastasë, lokal 200 metër katrorë në Lushnjë, 2 makina dhe 200 milionë lekë. Një numër i konsiderueshëm trojesh e tokash në bregdet si dhe disa komplekse apartamentesh i janë sekuestruar edhe Lulzim Berishës i akuzuar si drejtues i bandës së Durrësit. Pak kohë më parë, bazuar në ligjin e ri Antimafia, prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi edhe pronat e Klodian Saliut, i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit dhe Afrim Hoxhës, i akuzuar si anëtar i bandës së Lushnjës. Sipas të dhënave të bëra publike në analizën 6-mujore të punës së policisë së shtetit për vitin 2010, është deklaruar se Sektori i Gjurmimit të Pasurive Kriminale ka në proces referimi në prokurori edhe 18 raste pronash të dyshuara me burim kriminal të cilat do të hetohen më tej nga prokuroria e cila në fund do të kërkojë konfiskimin me urdhër të gjykatës. Sekuestrimi i pasurive të personave të akuzuar për krime të rënda filloi në vitin 2004 bazuar në ligjin Antimafia të këtij viti deri në 2007. Më tej pati një ndërprerje pasi Gjykata e Lartë shfuqizoi ligjin deri në janar 2010 kur hyri në fuqi ligji i ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›