E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet deficiti buxhetor ne tremujorin e pare

Gjatë tremujorit të parë të 2012-ës, politika fiskale vjetore në vend ka shfaqur një prirje të lehtë konsoliduese, e reflektuar në një ngushtim të deficitit buxhetor. Kështu në raportin më të fundit të BSH mbi politikën monetare të tremujorit të parë të këtij viti vihet re se deficiti buxhetor gjatë kësaj periudhe ka rezultuar në 11,5 miliardë lekë duke u ngushtuar në terma vjetorë me rreth 2,5%. I vlerësuar në raport ndaj PBB-së, deficiti rezulton rreth 3.7%, ose rreth 0.2 pikë përqindje më i ulët se e njëjta periudhë e një vit më parë. Financimi i deficitit buxhetor është bazuar kryesisht në emetimin e letrave me vlerë në tregun e brendshëm. Kredia e brendshme gjatë tremujorit të parë ka qenë rreth 8,2 miliardë lekë. Gjithashtu sipas BSH nëse do të respektohet limiti i përcaktuar për deficitin e përgjithshëm buxhetor (prej 41.1 miliardë lekësh), dhe rritja ekonomike të ndjek një trajektore të ngjashme me atë të vitit 2011, stoku i borxhit publik ndaj PBB-së pritet të shfaqë prirje rënëse deri në fund të vitit 2012.

Për sa u përket shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë janar- marsit të 2012-ës, niveli i tyre ka arritur në 89,9 miliardë lekë, apo 29,1% të PBB. Ky raport rezulton rreth 0.6 pikë përqindje nën nivelin e vlerësuar për të njëjtën periudhë të një vit më parë, në sajë të shpenzimeve kapitale më të ulëta. Ndërsa shpenzimet korrente ku përfshihen ato për sigurimet sociale, subvencionet, ndihma ekonomike dhe të mirëmbajtjes kanë shënuar një rritje në nivel vjetor më rreth 3%. Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale janë tkurrur me rreth 17.6% nga i njëjti tremujor i një viti më parë.

Sipas raportit të BSH, sjellja e tyre është në të njëjtën linjë me natyrën e politikës fiskale të planifikuar për këtë vit buxhetor.

Përsa i takon të ardhurave buxhetore gjatë këtij tremujori performanca e tyre është e ngjashme me atë të pjesës së parë të vitit 2011, të vlerësuara në rreth 78,5 miliardë lekë, apo 25,4% të PBB. Në terma vjetor të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje me 1,2%. Të ardhurat me karakter tatimor, ku përfshihen ato nga tatimet e doganat, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe të pushtetit vendor, gjatë tremujorit të parë kanë shënuar një rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në 72,2 miliardë lekë. Ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me ritme mjaft të ulëta, të kushtëzuara ka rënia e importeve dhe konsumi i dobët përgjatë këtij tremujori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›