E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dite te veshtira per tregun e aksioneve

Debatet mbi stabilitetin politik në Greqi vijojnë të mbeten shqetësimi kryesor në tregjet e aksioneve europiane dhe bursave ndërkombëtare.  Aksionet europiane kanë shënuar nivelin më të ulët në më shumë se katër muaj, me humbjet më të mëdha kryesisht të bankave greke. Edhe monedha europiane e ka nisur javën me një rënie të theksuar ndaj shportës së valutave ndërkombëtare. Një javë pas zgjedhjeve Greqia është pa një qeveri të re koalicioni duke shtuar kështu edhe dyshimet për qëndrimin e saj në Eurozonë.     Kjo pasiguri politike ka shqetësuar investitorët shprehet një prej analistëve të Frankfurtit. "Është e gjithë politika kaotike në këto momente dhe aksionet gjermane janë duke vuajtur, sepse ne nuk kemi nje  pasqyrë të qartë mbi  politikën greke, politikën franceze dhe atë evropiane", thotë Robert Halver. Nëse vendi  do të përballet me zgjedhje të tjera situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Flitet se Athina mund të ezaurojë të gjitha paratë  deri në fund të qershorit nëse  nuk do të ketë një qeveri të re në gjendje për të negociuar këstet e radhës së ndihmës me kreditorët ndërkombëtarë. 
Sondahzet tregojnë se kreu i Syrizës, Cipras mund të marr votat më të shumta në rast të zgjedhjeve të reja. Por lideri i së majtës radikale është edhe kundërshtari kryesor i marrëveshjes me FMN dhe BE për daljen nga kriza, por që kërkon të qëndrojë në Eurozonë. Por konsulenti bankar i “Saxo Bank” Nick Bikrof shprehet se kjo është e lehtë të thuhet por jo të bëhet. "Ka një rrezik real në gjashtë muajt e ardhshëm, shohim një seri gabimesh të vlerësimit të pjesës më të madhe të votuesve të udhëhequr nga sugjerimi i Tsipras që Greqia mund të shfuqizojë programin e ashpër dhe të qëndrojnë në zonën  euro .  por gjithashtu  është gabim edhe ajo që politikanët gjermanë thonë se Greqia mund të dalë nga Eurozona pa pasoja katastrofike ", nënvizoi ai. Por diskutimet  për një dalje të Greqisë nga euro po bëhen edhe më të forta. Një kthim në dhrahmi do të jetë katastrofike, thotë analisti grek George Tzogopoulos. Sipas tij, kaosi politik dhe jostabiliteti social do të ndjekin vendin, biznesi i vogël dhe i mesëm ka për të falimentuar menjëherë, dhe monedha e re greke do të zhvleftësohet. Përpjekjet vazhdojnë për të formuar një qeveri të unitetit. Të lodhur nga masat shtrënguese grekët duket se do të shkojnë sërish në votime në qershor. Nga ana tjetër krerë të BE kanë paralajmëruar se pa një qeveri që do të mbështes planin e ndihmës  për daljen nga kriza prej 130 mld euro të negociuar në muajin mars, nuk do të ketë më asnjë ndihmë dhe Greqia do ta gjejë veten jashtë Euros.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›