E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet kërkesa, bien çmimet e banesave

20/02/2009  Raporti çmim/qira është rreth 2 herë më i lartë se mesatarja për periudhën 1998-2008

BSH: Shtrëngimi i kushteve për marrjen e kredive ka ndikuar në uljen e kërkesës

Më pak qytetarë kërkojnë të blejnë në shtëpi. Shkak është bërë shtrëngimi i kushteve për marrjen e një kredie në bankë, por edhe efektet psikologjike të krizës globale financiare. Kjo situatë është reflektuar me një rënie të lehtë të çmimeve të apartamenteve gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar. Në analizën e politikës monetare për gjashtë muajt e fundit të vitit, ekspertët e Bankës së Shqipërisë theksojnë se ecuria e çmimeve të banesave, që nga tremujori i parë i vitit 2008, ka shoqëruar rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit. “Çmimet e banesave në tremujorin e katërt të vitit 2008 pësuan një rënie të lehtë vjetore me 0.9 për qind, që pasoi rënien më të dukshme të indeksit të çmimit të banesave në tremujorin paraardhës me 4.3 për qind”, - thekon raporti. Por në krahasim me tremujorin e mëparshëm në muajt e fundit të vitit indeksi i çmimit të banesave u rrit me 12 për qind. Kjo u shoqërua me rritjen e treguesit të lejeve të ndërtimeve për banim, që rezultoi rreth 10 herë më i lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e tregut të banesave tregojnë se rritja e çmimeve të tyre është ngadalësuar në fillim të vitit 2008. “Nëse rënia e çmimeve në tremujorin e fundit deflatohet me inflacionin e matur, atëherë rënia e çmimit të banesave në terma realë do të ishte edhe më e madhe 3 për qind. Rritja e çmimit në kryeqytet nuk paraqitet e njëtrajtshme: rritja e çmimeve në zonën e qendrës është dy herë më e lartë sesa rritja e çmimeve në periferi”, - thanë ekspertët. Ngadalësimi i rritjes së çmimeve të banesave është shoqëruar nga një rritje e numrit të lejeve të ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2008 me 21 për qind, pas një periudhe njëvjeçare rënieje. Nga ana tjetër, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, kushtet e kreditimit që bankat kanë aplikuar për kredinë për banesa janë shtrënguar, çka mund të ketë ndikuar në uljen relative të kërkesës. Ecuria e qirasë së banesave në vitin 2008, paraqet luhatshmëri më të lartë se çmimet e banesave, por me një tendencë më të qartë drejt rënies. “Në tremujorin e katërt të vitit 2008, indeksi i qirasë ra me 4.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë u rrit me 12 për qind”, - thuhet në raport. Ekspertët i lidhin rritjet e indeksit të çmimit të banesave dhe të qirasë me faktorë sezonalë. Duke filluar nga fundi i vitit 2006, çmimet e banesave janë rritur më shpejt se sa qiraja për to. “Vlerën më të lartë raporti e shënoi në tremujorin e tretë të vitit 2007 dhe më pas ka shfaqur shenja rënieje. Gjithsesi, raporti çmim/qira aktualisht është rreth 2 herë më i lartë sesa mesatarja e tij për periudhën 1998-2008”, - theksojnë ekspertët. Çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm në dhjetëvjeçarin e fundit. Indeksi i çmimit të banesave, i cili i referohet vetëm qytetit të Tiranës, pasi ka shënuar vetëm norma rritjeje pozitive, duke filluar që nga viti 2003, në vitin 2008 shfaqi shenja të ngadalësimit. Në të kundërt, indeksi i qirasë së banesave, megjithëse ka regjistruar norma vjetore më të luhatshme sesa indeksi i çmimit të banesave, paraqet një prirje të përgjithshme në rënie. Për periudhën 1998-2008, norma mesatare vjetore e ndryshimit të indeksit të çmimit të banesave rezulton rreth 9 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›