Ulet me 10 për qind TVSH në shëndetësi
Duke përgjysmuar TVSH-në, do të bëjmë që të investohen qindra milion euro më shumë, do të mund ti jepet fund, një herë e mirë, një spekulimi të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve deklaroi dje Berisha. Sipas tij ecja me shpejtësi drejt shërbimeve të dixhitalizuara është mënyra më e sigurt për një përmirësimin shumë të madh të shërbimeve ndaj qytetarëve. Objektivi ynë është shumë ambicioz, në tre vjet, të kapim mesataren e Evropës, të përdorimit të internetit, çka është plotësisht e mundur. Kryeministri Berisha njoftoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, aplikimin së shpejti të një masë të re të qeverisë, uljen në 10 për qind të TVSH-së në sektorin e shëndetësisë dhe të teknologjisë së informacionit e të komunikimit (ICT). Këto masa, tha Kryeministri, merren në vazhdim të mëtejshëm të revolucionit fiskal, si një proces i domosdoshëm për të lehtësuar dhe përmirësuar klimën e biznesit. Lidhur me uljen e TVSH-së në sektori shëndetësor, Kryeministri Berisha tha se kjo masë do të krijojë mundësi më të mëdha investimi në këtë sektor, shërbime më cilësore, si dhe i jep fund spekulimit me çmimet, të importuesve të ilaçeve dhe si e tillë, ajo është mirëpritur dhe mbështetur nga komuniteti i mjekëve dhe i sipërmarrjes që operon në sektorin e shëndetësisë. Me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë kemi rënë dakord që TVSH-ja në sistemin e shëndetësisë, për çdo gjë dhe për gjithçka, të jetë 10 përqind. Me këtë vendim, të cilin komuniteti i mjekëve, por edhe i sipërmarrësve privatë në fushën e shëndetit dhe të shërbimeve shëndetësore e ka vlerësuar dhe mirëpritur shumë, ne synojmë, në kuadrin e reformës në shëndetësi, të zgjerojmë hapësirat publike dhe private për shërbime që janë jetike për qytetarët shqiptarë, tha kryeministri. Sipas tij vetëm me këtë masë, duke përgjysmuar TVSH-në në sektorin e shëndetësisë, do të bëjmë që të investohen qindra milion euro më shumë, do të mund ti jepet fund, një herë e mirë, një spekulimi të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve, të cilët, me dokumente të falsifikuara, deklarojnë, me fakte, çmime 4 deri 6 herë më të larta, sesa çmimet, me të cilat i kanë blerë dhe duke qenë se çmimi i lartë përcaktohet nga vlera e çmimit të blerë, bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta në ilaçe, në rajon e më gjerë. Me vendosjen e TVSH-së 10 për qind i jepet goditje përfundimtare këtij spekulimi. Sikundër, krijohet një frymëmarrje e madhe për shërbimet shëndetësore publike dhe private. Nuk duhet të harrojmë se me 1/5 e buxhetit që ne përcaktonin, paguhej TVSH-ja nga sektori publik, u shpreh Kryeministri. Duke folur për domosdoshmërinë e mbështetjes dhe të krijimit të lehtësive për zhvillimin e teknologjisë së informacionit, në funksion arritjes së objektivit madhor Shqipëria dixhitale, Kryeministri tha se qeveria, në plotësim të kërkesës dhe mbështetje të kompanive të ICT-së, do të ulë TVSH, edhe për këtë sektor, në 10 për qind.
Last Updated on E Merkure, 05 Maj 2010 21:11