E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet me 5 lekë çmimi në pikat e pakicës

17/12/2008  Tregjet ndërkombëtare

Një ulje e lehtë prej 5 lekësh është vënë re në tregun e pakicës gjatë ditës së djeshme. Kjo do të thotë se çmimi i një litri nafte në pikat e tregtimit është pozicionuar te 110 lekë, ndërsa çmimi i një litri benzine ka qenë 115 lekë. Me të njëjtin çmim është shitur edhe nafta e cilësisë së dytë ose siç njihet nafta D2. Ndërkaq, një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare është shitur në fillim të kësaj jave për gjithë fillimin e vitit të ardhshëm me 45 dollarë. Kjo rënie, sipas ekspertëve, është më e ulëta krahasuar me katër vitet e fundit. Më konkretisht, sipas informacioneve të fundit, nafta e lehtë në bursën amerikane për muajin e parë të vitit të ardhshëm ka rënë me 8 cent duke kapur një çmim prej 44.76 dollarë për fuçi. Ky çmim në bursat ndërkombëtare vazhdon të jetë në kuota të ulëta, pasi në krahasim me dy javë më parë ishte 53 dollarë për fuçi dhe kjo sa i përket naftës verxhine. Java që kaloi u mbyll në tregun vendas me çmime të larta. Më konkretisht, në pikat e tregtimit të karburanteve në fund të javës 1 litër naftë D2 shitej mesatarisht me 115 lekë, 1 litër benzinë me 120 lekë, ndërsa 1 litër euro diezel po me 120 lekë. Rënia e çmimit të naftës në tregjet financiare ndërkombëtare vijon prej më shumë se 4 muajsh. Por, kjo ulje nuk është pasqyruar në vendin tonë. Që prej fundit të muajit korrik, kur çmimet shënuan në bursat ndërkombëtare rekordin historik të 145 dollarëve për fuçi, çmimi ka rënë me rreth 99 dollarë. Ndërkohë që rënia e çmimeve në vendin tonë vlerësohet në vetëm 35-40 lekë për litër. Ekspertët ndërkombëtarë e kanë krahasuar një rënie të tillë me atë të 5 janarit të vitit 2005, kur një fuçi naftë blihej në bursë me 43.67 dollarë. Madje kjo ulje, e cila llogaritet të jetë e përmasave të mëdha, vjen si pasojë e krizës së rënd ekonomike botërore dhe recesionit që ka pushtuar vendet e eurozonës si dhe shqetësimeve të investuesve se kërkesat për burimet energjetike do të ulen edhe më tej.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›