Ulet numri i te kthyerve ne dogana nisin kthimet ne atdhe
Afrimi i festave të fundvitit ka shtuar fluksin e lëvizjeve në pikat doganore të vendit. Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 2000 persona. Ndërkaq, mësohet se për herë të parë është rritur numri i personave që kanë kaluar kufirin me pasaporta biometrike nga Shqipëria për në Greqi. Sipas burimeve zyrtare të policisë kufitare shqiptare, dje kanë kaluar nga Shqipëria për në Greqi rreth 400 shtetas shqiptarë me pasaporta biometrike, ndërkohë që një ditë më parë kishin kaluar vetëm 170 persona. Ndryshe nga ditët e tjera, një pjesë e konsiderueshme e pasagjerëve, për të qenë të sigurt në udhëtimin e tyre, kanë siguruar dokumentacionin sipas kërkesave që pretendohen prej policisë greke për lëvizjen e lirë drejt vendeve të zonës Shengen. Ndërkaq, fluks lëvizjesh ka pasur edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Shkak është bërë puna me ritme të ulëta dhe sportele të kufizuara të palës greke në këtë doganë. Gjatë ditës së diel, dogana greke nuk ka funksionuar normalisht, dhe për këtë shtetasit shqiptarë janë detyruar të qëndrojnë në pritje. Ndërkaq, në portin e Durrësit është rritur fluksi i kthimit të emigrantëve në atdhe për festat e fundvitit. E ndërsa autoritetet kufitare pas 15 dhjetorit prisnin ndryshim në kahun e lëvizjeve, kjo fundjavë ka treguar se numri i atyre që lënë vendin është normal. Ditën e shtunë hynë në vend, përmes vendkalimit kufitar të portit detar të Durrësit 2000 persona, ndërsa dolën 120 të tjerë, 42 prej të cilëve me pasaporta biometrike, pa viza. Ndërkaq, dita e diel ka regjistruar një fluks edhe më të madh hyrjesh në vend nga kjo pikë kufitare. Policia e kufirit dhe dogana kanë shtuar sportelet për të përpunuar në kohë këtë fluks në hyrje të emigrantëve, që pritet të rritet ndjeshëm gjatë fundjavës së ardhshme.