E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e borxhit tek bankat greke ne Shqiperi

Greqia i shpëton falimentimit falë marrëveshjes së rëndësishme që u arrit nga liderët evropianë dhe përfaqësuesit e bankave në Bruksel, pas negociatash të vështira e të lodhshme.

Sipas kësaj marrëveshje, bankat private që i kanë dhënë hua Greqisë, pranojnë të dalin me 50% humbje tek letrat me vlerë.

Po sa do të ndikojë kjo në bankat greke që operojnë në vendin tonë, të cilat bankat mëmë i kanë pikërisht në zemër të vendit që po sfidon furtunën e borxheve?

Ekspertët e financave tregojnë se bëhet fjalë për një shifër prej 5.5 milionë euro të humbura për ato banka, të cilat zotërojnë bono thesari të qeverisë greke.

Megjithatë, një shifër e tillë konsiderohet jo shqetësuese për këto banka, duke e krahasuar me fitimet e tyre vjetore që kanë në tregun financiar shqiptar.

Kështu, një akt i tillë nuk duhet të konsiderohet si shqetësues për aktivitetin e bankave greke në vendin tonë.

Pjesa më e madhe e fitimeve te bankave greke janë siguruar pikërisht nga filialet e tyre ne 16 vendet e rajonit përreth.

Bankat në Shqipëri

I pyetur për krizën greke, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi disa ditë më parë se bankat shqiptare janë në një pozitë të fortë dhe sikurse bankat e tjera dhe ato greke janë nën mbikëqyrjen Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, në daljen e tij të fundit publike, guvernatori i bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani foli për një mirëkapitalizim të bankave shqiptare dhe situatë optimale të likuiditetit, të cilat janë në gjendje të ndihmojnë ekonominë shqiptare.

Ndërkohë që, në prani të situatës së mirë të likuiditetit, normat e interesit në treg bankar kanë ndjekur rënien e normës bazë të interesit, por megjithatë kreditimi është i ulët.

Analizat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se rritja e moderuar e kredisë mbetet më së pari një funksion i kërkesës së reduktuar të ekonomisë për të.

Ky qëndrim konfirmohet nga opinionet e bizneseve, të cilat shfaqin një tendencë të dobët për investime, por edhe nga reduktimi i numrit të aplikimeve për kredi pranë bankave të nivelit të dytë.

- Marrëveshja për «prerje» të borxhit grek rreth 50%,
- Rritja në 1 trilion Euro e fondit të shpëtimit të Eurozonës dhe një plan i ri për mbështetjen e Greqisë me vlerë 100 miliardë Euro deri në vitin 2014,

- Forcimi i bankave evropiane me rreth 108 miliardë Euro, nga të cilat 30 miliardë Euro janë të destinuara për rikapitalizimin e bankave greke.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›