E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti Juridik në UET, për shkollim bashkëkohor

Më i miri në procesin e rankimit, me programe studimi të modeleve bashkëkohore, një trupë akademike me eksperiencë, pedagogë me përvojë, juristë me emër të mirë, prakticienë të së Drejtës, figura të njohura nga fusha e Drejtësisë, anëtarë apo ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, me aktivitete të larmishme që i përgatisin me seriozitet studentët për tregun e punës, Fakulteti Juridik në Universitetin Europian të Tiranës mbetet një prej zgjedhjeve më të mira për të rinjtë

Në dilemat e zgjedhjeve të një fakulteti, i cili më vonë do të marrë vulën e profesionit gjatë gjithë jetës, të rinjtë shqiptarë priren gjithnjë e më shumë të zgjedhin Juridikun. Jo vetëm se mbetet prej profesioneve më popullorë, por është tregu ai që i kërkon, në çdo fushë veprimtarie.

Sot, çdo ent e institucion shtetëror, sektor juridik, drejtori juridike e deri te bizneset e mesme private është i lidhur ngushtë me një avokat apo jurist të thjeshtë.

Në dilemat e të rinjve, Universiteti Europian i Tiranës mund të ishte pa hezitim zgjedhja e duhur, jo vetëm sepse në procesin e rankimit të universiteteve publike dhe private u rendit ndër më të mirët dhe pikërisht një prej shtyllave më të forta ishte Fakulteti Juridik, por edhe për shkak të ofertës në programet e studimit të bazuar në modelet më të mira bashkëkohore, të mbështetura nga një trupë pedagogjike, nga një staf shumë i mirë e me eksperiencë. Pedagogë me përvojë, juristë me emër të mirë, prakticienë të së Drejtës, figura të njohura nga fusha e Drejtësisë, anëtarë apo ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, që e kompletojnë më së miri tablonë e këtij fakulteti.

“Juridiku konsiderohet si një nga degët kryesore. E kam fjalën në të gjitha nivelet tona të studimit, Bachelor, Master Profesional apo të Shkencave dhe në studimet e Doktoraturës që kemi nisur. Drejtësia mbetet degë atraktive. Në UET e shohim këtë tendencë, numrin në rritje të studentëve, interesimin e tyre, duke pasur parasysh emrin e mirë të krijuar të universitetit”, shprehet zv/dekania e Fakultetit Juridik, Dr.Migena Leskoviku.

Në vetëm pesë vite jetë, Universiteti Europian i Tiranës ka diplomuar brezin e parë 5-vjeçar të studimeve dhe është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, duke u shndërruar nga shkollë universitare në Universitet dhe duke licencuar edhe ciklin e tretë të studimeve, doktoraturat. Fakulteti ynë dhe UET-i në përgjithësi ka parime tepër strikte dhe të panegociueshme për sa i takon cilësisë që mbështetet në një filozofi të sajën. Pikërisht këtë filozofi po mundohemi të vëmë në jetë: fryma dhe metodat e universiteteve perëndimore të bashkëveprojnë me përvojën e terrenit shqiptar, të ndikojnë në të, t’i përshtaten atij, ta reformojnë dhe qytetarizojnë atë”, - tregon dekani i këtij fakulteti, Dr.Çlirim Gjata. Përpos mësimdhënies cilësore, e cila tashmë është e dokumentuar dhe verifikuar nga Kompania Gjermane CHE, e kontraktuar për të kryer procesin pilot të rankimit të universiteteve në vend, një vend të veçantë në fakultetin Juridik zë edhe revista shkencore “Jus&Justicia”, e cila ka marrë edhe ISSN, që tregon për njohjen ndërkombëtare dhe mbetet e hapur për artikuj shkencorë juridikë për këdo, edhe për studentë. Studentët e fakultetit Juridik trajnohen herë pas here për të vënë në praktikë të gjitha dijet e marra, me anë të aktiviteteve që organizohen në UET. “Juridiku mbetet një nga degët e preferuara në UET dhe ajo çka ne synojmë është të prodhojmë dhe nxjerrim juristë për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave në rritje të tregut”, - përfundon Dr. Migena Leskoviku.

Çlirim Gjata, sfidat e një dekani

Ish-kryetari i KQZ-së, prej disa muajsh i është rikthyer aktivitetit akademik si dekani i Fakultetit Juridik dhe rrëfen sfidat e rolit të ri dhe risitë që ofron ky vit i ri akademik në UET

Prej pak muajsh ju jeni dekan i Fakultetit Juridik në UET. Cilat janë sfidat më të mëdha për këtë rol të ri dhe këtë vit akademik?

E ngritët shumë mirë pyetjen e parë kur thoni ‘sfidat për këtë vit akademik’. Siç dihet, fakulteti Juridik në rankimin e sivjetshëm doli i pari si cilësi, kuptohet si i gjithë UET-i. Pikërisht, edhe për këtë sfida është shumë e madhe, sepse ai sukses jo vetëm duhet përsëritur por edhe duhet arritur diçka e re. Një nga masat e para që morëm si fakultet ishte reformimi i programit dhe i kurrikulave. Janë disiplinuar më shumë lëndët profesionale, veçanërisht në Bachelor, duke iu dhënë hapësira akoma më të mëdha. Ajo që vlen të specifikohet është vendosja e kritereve për sa i takon literaturës profesionale, duke u ndarë në të detyrueshme dhe në alternative, që çon në nxitjen e debatit profesional. Mendoj se këto masa, në mënyrë studimore duhet të merren vit pas viti, sepse ashtu si gjithçka është në ndryshim dhe lëvizje, ashtu edhe programet tona duhet të jenë në një hap me modernitetin në këtë fushë, madje në momente të caktuara mund të jenë edhe një hap para dhe t’i paraprijnë zhvillimit.

Ju vini nga eksperienca drejtuese në sistemin gjyqësor, nga një institucion tepër i rëndësishëm si KQZ-ja, dhe tani drejtues i një fakulteti Drejtësie. Cilat janë veçantitë dhe të përbashkëtat e secilës eksperiencë?

Duket vërtet sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, por ajo që më ka shërbyer si përvojë është pikërisht drejtimi dhe menaxhimi institucional. Nëse në dy të parat drejtimi ka qenë administrativ, në fakultet këtij i shtohet edhe ai akademik. Ajo që më ka ndihmuar më shumë se gjithçka ka qenë përvoja ime profesionale si jurist. Është një profesion, që po e more seriozisht të lidh me të gjitha fushat e jetës, sepse merret me zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet ligjit dhe dihet konflikt ka kudo, si çdo fushë tjetër që ka të bëjë me ligjin. Për shkak të kësaj përvoje, kudo jam gjendur pothuajse i përgatitur dhe jam akomoduar menjëherë.

Sa ju kanë ndihmuar dy të parat në eksperiencën më të re?

Unë kam që nga viti ’95 që jam pjesë e akademizmit. Puna në këto organe ka qenë kolegjiale dhe puna kolegjiale më shumë se kushdo të mëson me debatin dhe bashkëpunimin, të mëson të punosh në ekipe dhe të drejtosh stafet, elemente këto të domosdoshme në UET. Mjafton të kesh parasysh se UET ka ndërtuar të tria nivelet e shkollimit universitar: Bachelor, Master(shkencor + profesional) dhe së fundi, Doktoraturë. Kjo t’i shton përgjegjësitë dhe përgjegjshmërinë. Për herë të parë kemi një konkurrent të mirëfilltë me universitetet shtetërore dhe ky është moment historik.

Z.Gjata, profesioni i juristit mbetet një prej më popullorëve dhe më të kërkuarve në vend. Si jurist me përvojë, a mund të na thoni pse të rinjtë duhet ta zgjedhin këtë degë studimi?

Çështja nuk është se profesioni i juristit mbetet më popullori në vend. Çështja është se ky profesion kërkohet shumë nga tregu, ndaj dhe preferohet. Është pikërisht tregu që vendos, por mos mendoni se edhe për ekonomistë apo financierë nuk ka nevojë. Edhe ato preferohen. Janë dy profesione bazë në këtë sistem. Ne si vend po mbyllim tranzicionin, i cili përfshin të gjitha fushat e jetës dhe si i tillë prodhon dhe mbart konflikte pafund, që e bëjnë të domosdoshme punën e juristit. Në fillim të viteve ‘ 90, institucionet apo ndërmarrjet që kishin juristë në organikë, qoftë edhe në Tiranë, numëroheshin sa gishtat e një dore dhe i mbaj mend edhe me emra. Madje as nuk e konceptonin se si një institucion i lartë mund të paditej në gjyq. Ndërsa sot, nuk ka ent e institucion shtetëror, sektor juridik, drejtori juridike e deri te bizneset e mesme private që të mos jenë të lidhura me një avokat a jurist të thjeshtë.

Më konkretisht, pse duhet të zgjedhin UET-in për të studiuar Drejtësi?

Ajo që ka të veçantë UET-i dhe shkaku pse duhet zgjedhur është fakti se, si një universitet i ri, sapo ka diplomuar brezin e parë 5-vjeçar të studimeve, është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Fakulteti ynë dhe UET-i në përgjithësi ka parime tepër strikte dhe të panegociueshme për sa i takon cilësisë që mbështetet në një filozofi të sajën. Kemi një staf shumë të kualifikuar, duke nisur nga profesionistët me shumë përvojë jo vetëm praktike-profesionale, por edhe mësimdhënëse, që vijnë nga Gjykata Kushtetuese apo ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, prokurorë e avokatë të vjetër e deri te më të rinjtë që kanë studiuar jashtë vendit, janë kualifikuar, kanë mbrojtur apo mbrojnë doktoraturat në universitete perëndimore. Pikërisht këtë filozofi po mundohemi të vëmë në jetë: fryma dhe metodat e universiteteve perëndimore të bashkëveprojnë me përvojën e terrenit shqiptar, të ndikojnë në të, t’i përshtaten atij, ta reformojnë dhe qytetarizojnë atë. Tjetër veçanti e fakultetit tonë është edhe krijimi i një klinike të ligjit, që do të merret jo vetëm me anën studimore dhe shkencore, por edhe me trajtimin e rasteve specifike si një studio avokatore.

Duke pasur parasysh numrin e lartë të juristëve që diplomohen çdo vit, a gjen ende hapësira në tregun e punës një jurist ?

Absolutisht po! Tregu kërkon juristë. Këtu ka të bëjë edhe cilësia e përgatitjes së tyre që në banka. Ne synojmë që studenti pas diplomimit në Bachelor, të ketë përvetësuar njohuritë bazë të profesionit, që do t’i mundësonin përshtatje shumë të shpejtë me procedurat e çdo institucioni apo edhe në avokati. Ndërsa, për sa i takon programit master, puna e studenteve ka prioritet drejt pavarësisë së tyre praktike dhe shkencore, kuptohet nën një kontroll standard akademik nga stafi i profesorëve. Qëllimi ynë është që, Fakulteti dhe UET-i të shërbejnë si një trampolinë e fuqishme për juristët e diplomuar, kur ata të dalin në terren. Mendoj se përgatitja profesionale është çelësi i suksesit në këtë sistem. Vjen një ditë dhe gjithçka të lë në baltë; edhe miku, edhe konjuktura, edhe politika apo edhe korrupsioni. Vetëm profesionalizmi nuk të lëshon kurrë. Njoh juristë që vazhdojnë të punojnë normalisht edhe në moshën 85-vjeçare dhe kanë jo pak, por 60 vjet në këtë profesion.

Jus& Justicia, shkenca në emër të Drejtësisë

Fakulteti Juridik në UET prej katër vitesh boton revistën shkencore “Jus&Justicia”, një periodik në funksion të kërkimit shkencor. Kryeredaktorja e kësaj reviste , zv/dekane e Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës Dr. Migena Leskoviku zbulon më shumë rreth filozofisë së kësaj reviste...

Revista shkencore e Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës “Jus&Justicia”, e konceptuar për të shërbyer si periodik në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, studentëve, por edhe të punonjësve të praktikës, lindi në vitin 2008. Prej katër vitesh tashmë ajo botohet 2 herë në vit dhe ka fituar fizionominë e një revistë prestigjioze. Dallohet për dinamikën dhe llojshmërinë e rubrikave që gjejnë pasqyrim në të. Çdo numër ka një temë qendrore me tematikën e një konferencë shkencore që zhvillohet në Fakultet, dhe ku pasqyrohen punimet e këtij aktiviteti, trajtohen punime të autorëve të ndryshëm apo studime që kanë bërë në fushën e tyre të ekspertizës si edhe analiza të publikimeve apo botimeve të njohura nga vendi apo të huaja. Në faqet e saj zënë vend punime të profesionistëve, pedagogëve brenda apo jashtë UET-it, si dhe të personave të interesuar në njohjen dhe promovimin e punës së tyre kërkimore-shkencore. “Kemi mirëpritur edhe punime nga studentët tanë më të mirë të diplomuar, kryesisht në nivelin Master. Kam marrë kërkesa edhe nga kërkues brenda por dhe jashtë vendit për të botuar në revistën tonë”, - tregon kryeredaktorja e kësaj reviste, zv/dekania e Fakultetit Juridik, Dr. Migena Leskoviku. Revista i shërben çdo mjedisi akademik brenda dhe jashtë UET-it. Në të gjejnë pasqyrim risitë dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën e së drejtës, qasja krahasimore, problematika që haset në praktikë dhe nga kjo pikëpamje, këto punime përmbajnë jo vetëm vlerë në pasqyrimin e aspektit teorik e doktrinar kontemporan, por edhe vlerë praktike.

Praktikat në UET, një hap drejt profesionit

Fakulteti Juridik në UET përpos mësimdhënies profesionale, teksteve më bashkëkohore në fushën e drejtësisë, emrave të shquar në stafin akademik, dallon edhe për larmishmërinë e aktiviteteve që organizon. Aktivitete që i bëjnë studentët të praktikojnë dijet e fituara, si një hap drejt tregut të punës në të nesërmen

Një nga këto aktivitete ishte edhe improvizimi i një Gjyqi Ndërkombëtar. Një kazus, që profesori i tyre Prof.Dr.Ksenofon Krisafi ua kishte paraqitur në një orë leksioni, mbi çështjen “Gabcikovo-Nagymarovos”; Sllovaki vs.Hungari, studentët menduan të mos e linin me aq, por të organizoheshin për të zhvilluar një seancë të një gjyqi ndërkombëtar. Ajo që stafi akademik dhe studentët e UET-it synojnë është vënia në praktikë e dijeve të përftuara. Për të dalë nga kornizat e teksteve dhe për të sjellë të materializuar atë çka kanë përvetësuar. “Gjatë këtyre tri viteve në fakultetin Juridik, jo vetëm që kam marrë shumë njohuri të reja, por kam pasur mundësi t’i vë në praktikë. Gjatë vitit të dytë të studimeve kam qenë pjesë e një tryeze të rëndësishme juridike nën temën “E drejta e privatësisë në epokën e informacionit”, tryezë e cila mori nismë nga vetë ne studentët. Pak muaj më vonë, me iniciativën e profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, Prof .Dr. Ksenofon Krisafi, zhvilluam një seancë të improvizuar gjyqi ndërkombëtar. Aty vumë në praktikë të gjitha njohuritë që kishim marrë në këtë lëndë dhe jo vetëm”, - thotë Jonlinda Hada, studente e vitit të tretë në Fakultetin Juridik. “Ajo që më bën të ndihem me fat që jam pjesë e UET-it, është fakti se nuk marrim vetëm njohuri teorike, por dhe po përpiqemi t’i vëmë në praktikë dhe kjo falë përkrahjes së stafit akademik, të cilët shprehin gatishmëri në çdo rast”, - përfundon studentja. Të tjera aktivitete në këtë vazhdë kanë qenë disa. Më 30 prill të këtij viti u zhvillua Konferenca Shkencore Kombëtare me temë “Qeverisja vendore në Shqipëri”, e cila përkonte edhe me periudhën e zgjedhjeve lokale. Aty u diskutua roli i qeverisjes vendore në kuadër të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe funksionet e njësive të qeverisjes vendore në shërbim të komunitetit.

Po ashtu me rastin e 88-vjetorit të 10 Majit, Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Fakulteti Juridik në UET organizoi një auditorium të hapur, ku u trajtuan gjendja aktuale në sistemin tonë të drejtësisë, problematika që shfaqet në praktikë nevoja për reformim dhe arritja e standardeve bashkëkohorë në këtë sistem. Aty morën pjesë nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi.

Box

Revista “Jus&Justicia”, duke filluar nga Nr. 5, ka marrë ISSN (International Standart Serial Number) që tregon njohjen ndërkombëtare të saj dhe po ashtu ndihmon studentët, kërkuesit e rinj si dhe të interesuarit e tjerë të orientohen në gjetjen e materialeve burimore dhe pasurimin e referencave të tyre.

Box

UET është renditur i pari nga 34 universitetet publike dhe private në Shqipëri nga kompania gjermane CHE. Rankimi ose renditja është bërë duke marrë në shqyrtim katër drejtime studimi: Drejtësinë, Ekonomi-Biznesin, Shkencat Sociale dhe degën e Infermierisë. Universiteti Europian i Tiranës është vlerësuar pozitivisht në shtatë profilet e përfshira në procesin e rankimit, duke u renditur i pari nga universitetet publike dhe private në Shqipëri. Kriteret e marra në shqyrtim kanë qenë të llojit “kualifikimi i personelit, treguesit e cilësisë, publikimet më të mira, reputacioni në kërkimin shkencor, reputacioni në arsim si dhe për infrastrukturën më të mirë”.

Box

Në UET, mësimdhënia nuk konceptohet jashtë procesit kërkimor shkencor. Revistat shkencore të Universitetit, POLIS, për Fakultetin e Shkencave Sociale, ECONOMICUS, për Fakultetin Ekonomik, dhe JUS & JUSTICIA, për Fakultetin Juridik, janë forume ku evidentohen punimet shkencore të stafit akademik dhe të studiuesve e akademikëve brenda e jashtë vendit. Këto revista janë akredituar së fundi me statusin ‘revista shkencore’ nga organet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Çfarë të studiosh në UET në fushën e Drejtësisë?

Fakulteti Juridik në Universitetin Europian të Tiranës në nivelin Master Profesional ofron: E drejtë private dhe biznesi; E drejtë private, E drejtë biznesi, E drejtë publike dhe ndërkombëtare, E drejtë penale, E drejtë publike dhe kushtetuese, E drejtë ndërkombëtare dhe europiane. Në nivelin Master të Shkencave: E drejtë administrative, E drejtë ndërkombëtare, E drejtë europiane. Në ciklin e tretë të studimeve, doktoraturë: E drejtë publike, E drejtë ndërkombëtare, E drejtë civile, E drejtë biznesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›