Denoncimi, zhduket nëna e dy fëmijëve
PESHKOPI - Zhduket në rrethana misterioze në Peshkopi një 38-vjeçare, nënë e dy fëmijëve. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se shtetasja Miranda Cemalli është denoncuar si e zhdukur që më datën 17 tetor. Sipas tyre, ditën kur kanë humbur kontaktin familjarët Cemalli kishte shkuar në fshatin Brezhdan për të vizituar prindërit e të shoqit. Gruaja bashkë me të shoqin dhe dy fëmijët jetonin prej 7 vitesh në Durrës. Policia është vënë në dijeni të ngjarjes dhe me pas ka nisur kontrollin në të gjithë zonën dhe brigjet e lumit që nuk ndodhet shumë larg nga banesa e familjes. Në kërkim të nënës së dy fëmijëve janë vënë edhe strukturat policore të Qarkut të Durrësit.
Dy të vdekur dhe 4 të plagosur, bie makina në humnerë
BULQIZË – E diela në mbrëmje ka qenë fatale për disa persona që po udhëtonin me një mjet tip benz në aksin rrugor Qafë Bualli-Martanesh. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së dy ditëve më parë. Automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një gremine rreth 300 metra të thellë. Si pasojë kanë humbur jetën shtetasit Gazmir Gjoka, drejtuesi i automjetit si dhe Bajram Bruçi, 48 vjeç, pasagjer. Katër të plagosurit janë dërguar drejt spitalit Ushtarak të Tiranës ku tre prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri është në gjendje të rëndë. Sipas burimeve policore nga vend i ngjarjes shkak i këtij aksidenti mësohet të jetë bërë shpejtësia e automjetit më të cilin udhëtonte drejtuesi dhe errësira në rrugën malore, e cila ka vështirësuar punën e drejtuesit e mjetit. Dy ditë më parë një tjetër aksident ndodhi në aksin Fushë Krujë – Laç, ku gjeti vdekjen një person dhe u plagosën katër të tjerë.
Depresioni çon në vetëvrasje mësuesen 46-vjeçare, hidhet nga kati i 4-rt
BERAT - Një grua me profesion arsimtare, që jetonte e vetme në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit është hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte, duke gjetur vdekjen. Burimet zyrtare të Policisë së Beratit bëjnë të ditur se Lumturi Ramadani me profesion mësuese i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike, duke u vetëflijuar. Ngjarja ndodhi në orët e vona të ditës së diel. Transporti në spital i 46-vjeçarjes ka rezultuar i padobishëm. Ajo kishte ndërruar jetë që në momentin kur ka rënë nga ndërtesa. Ekspertët e policisë kanë nisur hetimet për të mësuar shkaqet që e çuan 46-vjeçaren drejt aktit fatal. Nga reparti të urgjencës së spitalit të Beratit bëjnë të ditur se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e frakturave të shumta të mara në trup dhe në kokë. Ajo nuk ka mundur të marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që trupi i pa jetë u dërgua në morgun e spitalit. Policia konstatoi se gruaja ishte hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte, në lagjen “30 Vjetori” të këtij qyteti. Nga dëshmitë e para policia mësoi se ajo jetonte e vetme pas divorcit nga i shoqi dhe emigrimit të vajzës së vetme drejt Greqisë. Depresioni dyshohet të ketë çuar 46-vjeçaren drejt vetëvrasjes. Organi i akuzës po merret me zbardhen e rrethanave dhe motiveve të këtij akti vetëflijues.
21 Tetor 2008