E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa, Krimet e Rënda marrin në dorë pengmarrjen e 6-vjeçarit



LEZHË – Gjykata e Lezhës ka lënë në qeli autorin e pengmarrjes së fëmijës 6-vjeçar në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, ndërkohë që organi i akuzës ka kërkuar që çështja të kalojë për hetim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gjatë zhvillimit të seancës në ngarkim të shtetasit Gëzim Marku, trupi gjykues dha masën e sigurisë “arrest me burg”. Po ashtu, u dha vendimi “detyrim paraqitje” për shtetasin Mark Ukja, i cili transportoi me mjetin e tij pengmarrësin Marku së bashku me fëmijën M. Prenga. Taksixhiu Ujka ka deklaruar para trupit gjykues se nuk kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes, por vetëm ka kryer shërbimin në këmbim të 3000 lekëve të vjetra. Prokurori i çështjes, Agim Dalipi ka kërkuar që dosja në ngarkim të Gëzim Markut të kalojë për hetime tek Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe gjykimi të bëhet nga e Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo kërkesë është pranuar nga gjyqtari Dedë Deda, ndërkohë që asnjë nga familjarët e Gëzim Markut nuk ndodhej i pranishëm në sallën e gjyqit. I pari që ka dalë para trupit gjykues ishte shtetasi Mark Ukaj, taksisti që ka kryer edhe transportin e Gëzim Markut së bashku me pengun 6-vjeçar. Ai ka treguar se ka qenë në dalje të qytetit të Lezhës, kur Gëzim Marku i ka kërkuar që të ikte së bashku me fëmijën që kishte me vete deri në Gjadër të Lezhës. Ujka është shprehur “se nuk kam vënë re asnjë shqetësim, qoftë nga fëmija apo Gëzim Marku. Sipas tij, gjithçka dukej normale. “Nëse unë do kisha konstatuar se fëmija ishte i grabitur, do të njoftoja menjëherë policinë”, - ka pohuar para trupit gjykues taksisti, i cili ka thënë se nuk ka parë as armë zjarri tek pengmarrësi. Ndërsa Gëzim Marku tha se ai e kishte marrë fëmijën si mjet presioni, për ti kërkuar Anton Prengës që ti sjellë në shtëpi të dashurën e tij, pasi ai dyshonte se babai i fëmijës mund ta kishte rrëmbyer”. Ai tha se “jam penduar, por nuk kisha mundësi për të korrigjuar asgjë”. Gëzim Marku ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje. Prokurori Agim Dalipi ka kërkuar që të merrej masa e arrestit “burg pa afat” për Markun dhe hetimet e mëtejshme ti kalohen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në fund të seancës edhe kryesuesi i procesit Dedë Deda ka dhënë të njëjtin vendim. Disa ditë më parë Gëzim Marku mori peng 6-vjeçarin M. Prenga dhe vetëm pas disa orësh negociata e ka liruar. Ai u arrestua pak orë pas ngjarjes. Duket se shkak i pengmarrjes së fëmijës ka qenë një konflikt i Markut me babanë e 6-vjeçarit.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›