Basha, ofensivë diplomatike për Shqipërinë në NATO
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vazhdon ofensivën diplomatike me vendet antare të NATO-s, për përshpejtimin e procesit të ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë. Z. Basha zhvilloi dje një vizitë në Islandë, me ftesë të homologut z. Ossur Skarphedinsson, të cilin e njohu me reformave e qeverisë shqiptare në funksion të arritjes së standardeve të kërkuara në proceset e integrimit euroatlantik të vendit. Në mënyrë të veçantë, në emër edhe të kolegut të tij kroat, ministri Basha kërkoi nga z. Skarphedinsson përshpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, me qëllim që në samitin e ardhshëm të Strasburg-Kehlit, Shqipëria dhe Kroacia të bëhen anëtare më të drejta të plota të aleancës. Ministri i Punëve të Jashtme të Islandës e informoi ministrin Basha se një nga çështjet e para, të cilat ka adresuar qeveria e re islandeze kanë qenë pikërisht procedurat e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë, pavarësisht problemeve të tjera të rëndësishme e mjaft kritike, me të cilat duhet përballur kjo qeveri në këtë kohë të krizës financiare globale, që ka prekur në mënyrë të veçantë Islandën. Ai shprehu kënaqësinë që me rastin e vizitës së z. Basha në Reikjavik dhe në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera në nivel politik ndërmjet dy vendeve, të kulmuara edhe nga vizitat e Kryeministrave respektivë në Reikjavik e Tiranë vitin e kaluar, do të kërkonte me insistim përfundimin e debatit parlamentar dhe mandej votimin po sot, në seancë plenare në Parlamentin e Islandës për Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Më tej, të dy ministrat vizituan Parlamentin, ku në prani të ministrit Basha, ministri i Punëve të Jashtme të Islandës iu adresua Parlamentit islandez, duke argumentuar në detaje domosdoshmërinë e ratifikimit sa më parë të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Pas fjalës së ministrit Skarphedinsson, z. Basha pati takime zyrtare me kryetarin e Parlamentit islandez, z. Gudbjartur Hannesson dhe kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme, z. Arni Thor Sigurdsson, si dhe me liderin e opozitës islandeze, ish-Kryeministrin Geir Haarde, të cilët e siguruan ministrin Basha se në seancën plenare të pasdites, Parlamenti i Islandës do të ratifikonte të dy protokollet. Në orët e pasdites së datës 12 shkurt 2009, Parlamenti i Islandës votoi në unanimitet, pa asnjë votë kundër, ligjin, i cili mandaton qeverinë e Islandës për të depozituar instrumentin e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në Uashington, duke e bërë kështu Islandën vendin e 23-të nga 26 vendet e aleancës, që ratifikon këto protokolle. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh falënderime të veçanta për qeverinë dhe Parlamentin e Islandës për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e vlerësuar këtë si një shprehje tjetër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe e mbështetjes së vazhdueshme që Islanda i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik. Gjatë qëndrimit të tij njëditor në Islandë, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Lulzim Basha, dha intervista për shtyp në disa prej mediave kryesore të shkruara dhe vizive vendase, si dhe pati takime me firma islandeze të interesuara për investime në Shqipëri në fushat e energjisë dhe farmaceutikës.
Holanda, drejt firmës “Shqipëria në NATO”
Senati i Holandës pritet të ratifikojë të martën e ardhshme protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky ratifikim është përfshirë në rendin e ditës së seancës së datës 17 shkurt 2009. Pas këtij votimi, mbeten vetëm dy vende anëtare të NATO-s që priten ta bëjnë këtë ratifikim: Greqia dhe Portugalia, kryetari i Parlamentit të së cilës, Jaime Gama, i ka premtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, se ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të bëhet të premten e ardhshme.