E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e dënimit të ish-zv/ministrit,akuza shqyrton vendimin e gjykatës

TIRANE - Një ditë pas përfundimit të procesit gjyqësor për ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, të cilët u dënuan për abuzime me tenderët e rrugëve, Prokuroria e kryeqytetit pohoi se 

ka marrë në dorë vendimin e gjykatës dhe po e shqyrton atë. Burime nga organi i akuzës pohuan dje se, e konsideronin të tepërt uljen e masës së dënimit për 2 nga 7 të pandehurit e këtij procesi, konkretisht ish-zëvendësministrin Nikolin Jaka dhe ish- kreun e Rrugëve, Ilirjan Berzani, që u dënuan përkatësisht me 1 vit e 20 ditë burg dhe 500 mijë lekë gjobë dhe 2 vjet burg dhe 2.6 milionë lekë gjobë, masa dënimi këto më të ulëta nga sa kishte kërkuar Prokuroria. Ndërkohë që Berzanit gjykata i hoqi edhe njërën prej akuzave. Sapo janë njohur me vendimin e zbardhur, përfaqësuesit e organit të Prokurorisë pohuan se, po shqyrtojnë argumentet që ka përdorur trupi gjykues për të vendosur më pas nëse do e apelojnë apo jo atë. Gjykata e Tiranës gjeti fajtorë dhe dënoi me masa të ndryshme dënimi ish-kreun Juridik të Rrugëve, Arjan Sheti, ish-drejtorin Koordinimit te Rrugët, Xhevahir Muçogllava, ish-kreun e Prokurimeve në këtë Drejtori, Bashkim Kamberi, si dhe dy biznesmenët, Isuf Ukperaj dhe Skënder Bokçiu. Këta u prangosën në shtator të vitit të kaluar gjatë operacionit “Duar të pastra”, ndërsa sipas llogarive, pas dy javësh pritet të lirohen Jaka dhe të bashkëpandehurit me të që morën masa të njëjta dënimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›