E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët vidhen me peshën e produkteve ushqimore

“Mos bli pa peshuar”, ky është apeli që i ka bërë konsumatorëve Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit. 

ZIRINA LLAMBRO

Sipas drejtuesve të saj, shqiptarët vidhen me peshën reale të produkteve me të cilën shpesh tregtarët abuzojnë. Por jo vetëm ata. Abuzime ka edhe nga prodhuesit, të cilët shënojnë një peshë më të ulët se ajo reale në paketimin e ushqimeve të ndryshme. Inspektorët e këtij institucioni, nga kontrollet e ushtruara në vend kanë evidentuar këto probleme jo pak shqetësuese për popullatën. “Kontrollet janë rritur edhe në subjektet që prodhojnë produkte të parapaketuara, me qëllim verifikimin e peshës së produkteve me atë çka tregon etiketa dhe për çdo rast shkelje, po zbaton sanksionet e gjobitjes që shkojnë nga 10-50 mijë lekë”, u shpreh drejtoresha e institucionit, Myrteza Pazaj. Dje në Ditën Ndërkombëtare të Metrologjisë (njësitë matëse dhe mjetet matëse), u paraqitën edhe një sërë projektesh e sfidash që do të ndryshojnë këtë situatë. Sipas drejtoreshës Myrteza Pazaj, aktualisht më të prekshme për konsumatorët janë problemet me peshat e produkteve të shportës, që konsumohen çdo ditë e që blihen në tregjet e ndryshme. “Për të evituar këto abuzime po punohet për vendosjen e pullës së sigurisë së metrologjisë në të gjitha mjetet matëse, pullë kjo që siguron konsumatorët për saktësinë e peshës”, tha Pazaj. Ajo nënvizoi se, po synohet ngritja e një sistemi kombëtar të peshëmatjes në përputhje me standardet evropiane. Ndërkaq mbrojtja e qytetarëve do të sigurohet nëpërmjet kontrollit të mjeteve matëse, duke ruajtur etalonet kombëtare të peshëmatjes. Në vendin tonë do të zhvillohen tre kategori të metrologjisë që janë metrologji shkencore, industriale dhe ligjore. “Metrologjia synon të mbrojë interesat e konsumatorëve, nëpërmjet kontrollit me instrumente matës në tregti, shëndetësi, si dhe t’u ofrojë prodhuesve dhe përdoruesve mjete matëse, për të qenë konkurrues me prodhimet e tyre sipas standardeve evropiane”, u shpreh Pazaj.
Kjo drejtori ka 36 zyra rajonale në të gjithë vendin dhe merret me verifikimin e mjeteve matëse që hidhen në treg, kontrollin e produkteve të parapaketuara, si dhe trajnimin e specialistëve metrologë, të cilët kryejnë kontroll periodik në të gjitha subjektet që përdorin mjete matëse, në fushën e masës, volumit, temperaturës. Me tej Drejtoria e Metrologjisë do të shtrijë  veprimtarinë kontrolluese të saj edhe në fusha të reja si ajo e shëndetësisë, transportit, industrisë së lehtë e ushqimore, karburanteve, lodrave të fatit apo materialeve të ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›