E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradoksi i iniciativës anti-imunitet

Blendi Kajsiu 

Së fundi “problemi” i imuniteteve parlamentare është ngritur sërish me forcë në kuadrin e luftës anti-korrupsion. Aq sa të krijohet përshtypja se korrupsionin do ta kishim vrarë me kohë po të mos kishim pasur deputetët me imunitet. Diplomatët e huaj dhe politikanët tanë i mbushin ekranet me denoncime ndaj imunitetit parlamentar. Madje disa deputetë dhe grupe parlamentare po zhvishen prej imunitetit edhe para kamerave. Aq sa kryeministri dhe lideri i opozitës duket se “janë detyruar” të bien dakord që deputetëve t’u hiqet imuniteti. Sipas tyre, dhe disa të tjerëve, vetëm kështu do t’i hapet rruga anti-korrupsionit.
I gjithë ky zell anti-imunitet është i pakuptueshëm po të kihet parasysh se në dhjetë vitet e fundit vetëm nja tri herë është kërkuar heqja e imunitetit të deputetit, nga të cilat vetëm nja dy herë për përfshirje në korrupsion. Pra, nuk është se kemi pasur një pafundësi hetimesh anti-korrupsion për deputetët që janë penguar nga imuniteti. Por edhe sikur të kish ndodhur kështu, t’i zhveshësh deputetët nga imuniteti në mënyrë kolektive është krejt e panevojshme nëse partia në pushtet ka vullnet ta luftojë korrupsionin. Çdo deputeti që duhet hetuar për korrupsion mund t’i hiqet imuniteti me një shumicë të thjeshtë. Prandaj përpara sesa të kërkohet heqja e imunitetit në përgjithësi, duhet hequr imuniteti i deputetëve të akuzuar për korrupsion në veçanti. Paradoksalisht sot nga një anë zvarritet heqja e imunitetit të deputetëve të veçantë të akuzuar për korrupsion, si Mediu, nga ana tjetër arrihet konsensus për ta hequr imunitetin e deputetit në tërësi. 
Më shumë sesa vullnet për të luftuar korrupsionin, kjo tregon vullnet për të dobësuar edhe më tej institucionin e deputetit dhe Parlamentin në tërësi. Me ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit,  Parlamenti u dobësua së tepërmi përballë kryeministrit. Ky i fundit u forcua jo vetëm nëpërmjet mocioneve të besimit dhe mosbesimit, por edhe si pasojë e sistemit të ri elektoral që forcon pozitat e kryetarit të partisë. Nga ana tjetër, zgjedhja e presidentit me shumicë të thjeshtë i jep mundësinë kryeministrit që nëpërmjet presidentit të shtrijë duart edhe te sistemi i drejtësisë. Ky sistem vështirë se garantonte drejtësi dje, aq më pak mund të ofrojë ai drejtësi nesër nëse vendoset, nëse përkëdhelet nga kryeministri. Në një situatë të tillë imuniteti parlamentar mund të ishte pengesa e fundit, ndonëse jo e pakapërcyeshme, përballë arbitraritetit apo përdorimit të sistemit të drejtësisë për shantazh politik. 
Dhe këtu vijmë te paradoksi themelor i idesë se imuniteti i deputetit duhet hequr për të luftuar korrupsionin. Heqja e imunitetit dobëson edhe më tej çdo deputet në veçanti dhe Parlamentin në përgjithësi. Ndërkohë korrupsioni më shumë sesa tek Parlamenti buron tek ekzekutivi, pasi aty është pushteti, paraja, buxheti, tenderët etj. Prandaj për të reduktuar korrupsionin duhet që të forcohen mekanizmat e kontrollit ndaj ekzekutivit. Në një republikë parlamentare dy janë mekanizmat kryesore që e kryejnë këtë funksion; parlamenti dhe sistemi i drejtësisë. Me kushtetutën e re të dyja këto mekanizma tashmë janë dobësuar përballë ekzekutivit. Sikur të mos mjaftonte kjo, kërkohet edhe heqja e imunitetit parlamentar që e dobëson akoma më shumë institucionin e parlamentit përballë një gjyqësori që tashmë mund të kontrollohet nga ekzekutivi. Pra, kemi të bëjmë me një nismë që dobëson kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit dhe e bën Parlamentin akoma më të pambrojtur përballë ekzekutivit, duke rritur kështu potencialin për korrupsion. Paradoksalisht një nismë e tillë ndërmerret në emër të luftës kundër korrupsionit.  Dhe e gjitha kjo ndodh sot kur Gërdeci na tregoi në mënyrë shpërthyese se korrupsioni mund të votohet në Parlament, por ama gatuhet në zyrat e ekzekutivit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›