E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirandolina, femra “rebele” në Teatrin e Metropolit



Këto ditë, Teatri i Metropolit ka nisur përgatitjen për premierën e shfaqjes “E zonja e bujtinës”. Nën regjinë e Hervin Çulit, në skenë do të shohim aktorët Adelina Muça, Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia etj. Vepra, skenografia e së cilës është përgatitur nga Herolinda Koçllari, do të vijë për publikun duke filluar prej datës 14 nëntor. “E zonja e bujtinës” është komedia më moderne e reformatorit të teatrit italian, Carlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta, është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre. Goldoni si një mjeshtër i madhe i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Vepra vjen si një apel edhe për shoqërinë shqiptare, ku mashkulli e ka ende të vështirë t‘i lejojë hapësirat e nevojshme femrës. Mirandolina konsiderohet si portreti i parë i gruas moderne që merr në duar frenat e lojës dhe sjell vërdallë meshkujt. Mirandolina drejton një bujtinë dhe bën gjithçka për mbarëvajtjen e biznesit të saj. Sipas regjisorit Hervin Çuli, kjo vepër nuk do të ketë ndonjë risi të veçantë por është tepër aktuale, sidomos sa i takon apelit të fortë që ajo i bën shoqërisë maskiliste shqiptare për emancipim. Një detaj tjetër interesant është fakti se regjisori Çuli ka menduar që t’i sjellë personazhet në sfondin e para tre shekujve dhe jo të përshtatur në veshje dhe skenografi në ditët e sotme.

PROMOVIMI

Ardian Klosi sjell në shqip “Adami dhe Evelina”

Është prezantuar në mjediset e ambasadës gjermane libri i romancierit të njohur Ingo Schulze

Përkthimi në shqip i romanit “Adami dhe Evelina”, të autorit Ingo Schulze, është prezantuar në Tiranë në kuadrin e “Tetorit gjerman 2009”. I botuar vitin e kaluar nga njëri prej shkrimtarëve të sotëm më në zë në Gjermani, romani është përkthyer në 20 gjuhë të ndryshme të botës. Kjo vepër “flet” shqip falë punës së përkthyesit Adrian Klosi. Në qendër të romanit që trajton ngjarjet e vitit 1989 është vendosur historia e një çifti gjermano-hungarez, i cili për të shpëtuar dashurinë udhëton në kohën e hapjes së kufirit, për në Austri, me destinacion final Bavarinë. Romani është shkruar në formën e dialogut dhe pasqyron në mënyrë mbresëlënëse shpresat e rinisë së RDGJ-së të asokohe.

TURNEU

Anulohet turneu i Teatrit Shqiptar të Shkupit në Kosovë, do të shfaqnin dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Teatri Shqiptar i Shkupit ka anuluar befasishëm turneun e tij në Prishtinë, me shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, bazuar mbi veprën e shkrimtarit Ismail Kadare dhe regji të Dino Mustafiç. Teatri Kombëtar i Kosovës është njoftuar për këtë incident nga drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit Adem Karaga, i cili ka pohuar se neglizhenca dhe mospëlqimi i Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë ka bërë që ky turne të pamundësohet. Ndërkaq, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Neziraj shprehet se “Fatkeqësisht, ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Me kapacitetet tona, u kemi ofruar mbulimin e shpenzimeve të akomodimit, por nuk kemi mundur të ofrojmë më shumë. Megjithatë, kam bindjen se kjo shfaqje do të mundësohet të vijë në Kosovë në një të ardhme të afërt.”

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›