Ulja e pragut të xhiros për TVSH, ja arsyet
Para pak ditësh, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve nxori një qarkore, ku përcaktonte se çdo person fizik apo juridik që zhvillon veprimtari ekonomike, qarkullimi i të cilit për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik, është i detyruar të kërkojë të regjistrohet për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Deklarimi i parë për TVSH-në e regjistruar rishtas do të ishte më 1-14 shkurt 2010. Por, pas kësaj, kreu i Ekzekutivit ka bërë një deklaratë publike, që shumëkush e ka interpretuar në mënyra të ndryshme. Si e sheh këtë çështje administrata tatimore? Për "Gazetën Shqiptare" pro-noncohet me këtë rast, drejtori Artur Papajani. Z. Papajani, kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë se biznesi i vogël me qarkullim vjetor nga 5 milionë lekë të reja në 8 milionë do të mbetet 'biznes i vogël', por mbi mallrat dhe shërbimet e tij do të zbatohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). çfarë nënkupton kjo? Kryeministri dha një prononcim serioz qeveritar, politik për sa i takon aspektit fiskal. Por, ka kohë që ka filluar ky diskutim në Shqipëri, në ambientet tekniciene. Në atë kohë nuk kemi qenë objekt i medias. është një diskutim për performancën e sistemit tatimor shqiptar. Biznesi i vogël do të mbetet tatimpagues i taksave vendore. Për atë biznes të vogël që ka një qarkullim ose xhiro mbi 5 milionë lekë të reja në vit, ai do të jetë i detyruar t'u nënshtrohet rregullave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). është një nismë qeveritare, dhe qeveria ka të drejtë të zbatojë politikat e saj fiskale. Kërkesën e parë publike për uljen e pragut të TVSH-së e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. E kam bërë përpara disa muajsh, duke u nisur nga një analizë e hollësishme e sistemit tonë tatimor, e arritjeve të tij, por edhe e fenomeneve që rrezikonin ta çonin sistemin drejt një degradimi. Sistemi ynë tatimor duhet të jetë në funksion të ekonomisë së tregut. Të përthithë ato para në funksion të interesave parësore të shtetit. Duke u nisur nga ato fenomene që kishim konstatuar e po konstatonim çdo ditë, po kuptonim se ishte krijuar një skemë false e dokumentimit të të gjitha transaksioneve. Bizneset e mëdha ankoheshin se nuk kishin ku të shkarkonin faturat tatimore. Ishte krijuar një copëzim i sistemit biznes i vogël-biznes i madh. Gjithçka që ishte tek biznesi i madh u nënshtrohej rregullave të një tatimi, TVSH-së. Bëmë investigime të hapura dhe të fshehta tek biznesi i vogël. Pamë se nuk ekziston tek shumica e tyre koncepti i një fature, që është dokumenti bazë për një sistem fiskal. Kështu që shumica e shkarkimeve të faturave të biznesit të madh po dilte nga sistemi. U arrit në paradokse të tilla, sa aksesorë varrimesh që nuk ekzistojnë në marketet tona, figurojnë në dokumente sikur shiten në tregun e lirë. Kjo është e frikshme, në radhë të parë për fëmijët tanë. Në këto kushte, ne i propozuam qeverisë të ulnim pragun e TVSH-së, për të futur në sistem një pjesë jashtëzakonisht të madhe të transaksioneve që po deformoheshin. Opozita është shprehur se biznesi i vogël i kategorisë së përmendur më sipër ka rrezik të falimentojë. A e rrit barrën tatimore rritja e pragut të vendosjes së TVSH-së? Absolutisht jo! TVSH aplikohet në 150 vende të botës. Asnjëherë, kur ai është vendosur në këto vende, nuk është përmendur rreziku i falimentimit për bizneset që i nënshtroheshin këtij regjimi fiskal. është një tatim që paguhet nga konsumatori. është pagesë e pastër e tij, nuk ka lidhje fare me pozitën ekonomike të një biznesi. Pragu ynë i TVSH-së (8 milionë lekë të reja në vit) ishte paradoksal dhe në kundërshtim me rekomandimet që jep Bashkimi Evropian. Ai krahasohej me pragun e vendeve si Franca, Britania e Madhe apo Irlanda. Por, këto janë shtete me parametra socialë dhe ekonomikë vështirësisht të krahasueshëm me pjesën tjetër të Evropës. Për më tepër, këto shtete 90 për qind të operacioneve e kryejnë nëpërmjet bankave, ndërsa tek ne ende mbizotëron paraja 'cash'. Pragu mesatar i vendeve të Bashkimit Evropian për aplikimin e TVSH-së sot është diku mes 25-30 mijë euro. Pra, rreth 4 milionë lekë të vjetra, ose sa gjysma e pragut që kemi pasur ne deri tani. Për të mos folur për shtete të tjera si Greqia, Italia dhe Spanja, të cilat e kanë hequr fare pragun dhe janë që të gjitha me TVSH. Gjithashtu, shtete të rajonit tonë, si Maqedonia, Serbia e Mali i Zi kanë një prag rreth 20 mijë euro. Bizneset e vogla që futen në skemën e TVSH-së në numër janë shumë më tepër se sa bizneset e mëdha, me të cilat deri tani administrata juaj ka punuar për rimbursimin e TVSH-së. Si do të përballoni punën e shtuar me herë? është një pjesë shumë e madhe e tatimpaguesve që i nënshtrohen rregullave të biznesit të vogël. Sot kemi rreth 15 mijë subjekte (kompani) që janë tatimpagues të TVSH-së dhe rreth 70-80 mijë subjekte që kontribuojnë në taksat vendore. Përpara se sa qeveria të merrte vendimin për uljen e pragut, ne si administratë tatimore kemi bërë një klasifikim. Diku rreth 6-7 mijë subjekte nga biznesi i vogël na rezulton kontingjent i gatshëm për t'u futur në regjimin e TVSH-së. Por, kjo nuk do të thotë se më 1 janar 2010 të gjitha këto kompani do të gdhihen me TVSH. është një proces i cili do të marrë kohën e vet. Nga cilat zona keni pasur më shumë ankesa për aplikimin e ndryshimit të pragut? Nuk kemi pasur ankesa nga Tirana. Ato vijnë kryesisht nga rrethet periferike: Shkodër, Korçë, Dibër, etj. Ka shumë ankesa të drejta. Bizneset ankohen për shkelje të rregullave të kryerjes së biznesit të tyre. U kemi dhënë përgjigje të gjithë atyre që ankohen, por nuk është se ka 'lumë' ankesash. Si mund t'i garantoni ju mijëra bizneset me xhiro vjetore nga 5 milionë lekë të reja në 8 milionë se rimbursimi i TVSH-së do të kryhet në kohë dhe pa keqinterpretime nga ana e administratës suaj? Ka pasur ankesa të shumta për këtë edhe me më pak subjekte... Një pjesë e biznesit ka paqartësi. Madje, përpara tre muajsh, kur bëra prononcimin për uljen e pragut, ka pasur paqartësi dhe në vetë stafin tonë tatimor. Paqartësia shtohet kur faktorë të tjerë jashtë fushës fiskale marrin pjesë në skemë. Ka punonjës që kanë punuar më parë në Tatime, të cilët ndryshe flisnin më parë dhe ndryshe tani. Unë deklaroj se asgjë nuk do të ndryshojë tek biznesi. Biznesi do të vijojë të administrohet nga pushteti vendor. Ai do të paguajë detyrimet mbi Tatimin për të Ardhurat. Do të mbajë një bilanc, sipas rregullit numër 15 të Ligjit të Kontabilitetit, si dhe të gjitha bizneset e tjera. TVSH-ja nuk është kurrsesi një barrë fiskale për biznesin. Rregullat janë të thjeshta. Ky sistem kërkon vendosjen e një sistemi faturimesh nga i pari, grosisti, tek pakica dhe tek konsumatori i fundit. Biznesi i vogël do të ketë shtesë dokumentesh vetëm një deklaratë të TVSH-së, e cila është, edhe ajo, shumë e thjeshtë. Falë dixhitalizimit të thellë që kemi ndërmarrë, tani jemi në gjendje të trajtojmë subjekte nën regjimin e TVSH-së edhe tri herë më shumë nga të 15 mijë subjektet e derisotme. Kemi deklarimin 'online' të krijuar përpara një viti si mundësi. Duke filluar nga 1 janari 2010, deklarimi 'online' do të jetë detyrim për tatimpaguesit. Pra, çdo deklaratë që do të vijë do të na mbërrijë në mënyrë elektronike. Jemi duke shkuar drejt deklarimit online edhe të listë- pagesave të punonjësve. Kur të gjitha deklaratat do të administrohen jo nga njerëzit tanë, por nga sistemi, atëherë mund të themi se administrata jonë ka potencial të fuqishëm. Si po e mbyllin këtë vit Tatimet, z. Papajani. Jeni ju i kënaqur me performancën e tyre? Gjithmonë unë pres më tepër nga kolegët dhe va-rtësit e mi, nga e gjithë administrata tatimore. Pres më tepër edhe nga biznesi shqiptar. Kemi ende rezerva. Megjithatë, një pjesë e biznesit është bërë e ndërgjegjshme për pagesën e detyrimeve ndaj shtetit. Ky vit mbyllet me 96 për qind realizim kundrejt planit. Kemi një rritje 6.5-7 për qind në të ardhurat e këtij viti, kundrejt vitit 2008. Rritja ka qenë më e madhe në vitet e tjera, por ky ishte një vit i veçantë, pasi efektet e krizës globale u ndjenë edhe në ekonominë shqiptare. Në forma nga më të ndryshmet. Fitimet e bankave kanë rënë këtë vit. Kjo duket nga bilancet provizore që ato kanë sjellë. Madje, ka banka që fitimin e kanë me herë më të ulët. Megjithatë, jemi administrata tatimore e vetme në Evropë që ka dhënë më shumë para' se viti i kaluar. Në këtë kontekst, them që kriza nuk ka prekur ekonominë e vendit, por presioni i saj është ndjerë. Si do të jenë Tatimet shqiptare në dhjetor 2010? Ligji për Buxhetin e Shtetit 2010 ju ka lënë një detyrë të vështirë: rritjen me 11.6 për qind të të ardhurave tatimore qendrore. Si mendoni t'ia arrini? është një sfidë e vërtetë. Nuk do të ketë ndryshime në nivelin e taksave, kështu që të gjitha të ardhurat shtesë do të vijnë nga miradministrimi i punës dhe nga ngushtimi i evazionit fiskal. Një nga masat kryesore që do të japë padyshim efektet e saj, do të jetë formalizimi i tregut në Shqipëri. Formalizimi i parë është ulja e pragut të TVSH-së (që u krye), dhe vendosja e një zinxhiri të dokumentuar të transaksioneve monetare. Nuk kam llogaritur para' më shumë nga biznesi i vogël që do të paguajë TVSH. Por, mendoj se të ardhurat shtesë do të na vijnë patjetër nga formalizimi i sistemit financiar, nga vendosja e pajisjeve fiskale (kasat, sikurse thuhet në gjuhën e përditshme). Kjo nismë ka filluar me Tiranën. Sot rreth 95 për qind e tregut në kryeqytet i ka këto pajisje.