E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e temperaturave, Mjekët: Kujdes fëmijët!

TIRANË- Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, e shoqëruar me luhatje të ndjeshme, ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa më të prekurit në këtë mes, janë fëmijët.
Virozat që po qarkullojnë në të gjithë vendin kanë si simptomë kryesore rrufën dhe dhimbjen e kokës. Tek të vegjlit forma e virusit ka qenë më agresive, duke u shoqëruar me temperaturë të lartë, thonë mjekët, të cilët këshillojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të marrin asistencën mjekësore.
Mjekët pediatër këshillojnë gjithashtu të bëhet kujdes me përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhet të përdoren vetëm në rastet kur përshkruhen nga mjeku.
Sipas tyre, shkaqet e virozës janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik flasin se shumica e të prekurve nga virozat e stinës janë me simptoma të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme.

Mjekët këshillojnë që të përdoren lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore, që japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›