E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i Letërsisë përplas ministrinë me hartuesit e tij

Programi i ri i lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi për klasën X në gjimnaze ka ndezur një seri polemikash mbi mënyrën se ku duhet të përqendrohet mësimdhënia, por edhe si duhen servirur dijet për nxënësit, në mënyrë që të bëhen sa më rezultative. Ky program është bllokuar dhe rrezikon përgatitjen e teksteve për nxënësit që për herë të parë do të nisin klasën e dhjetë sipas strukturës së re arsimore shqiptare.

Programi për këtë lëndë, i përgatitur nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, ka hasur në kundërshtinë e disa anëtarëve të një grupi pune të ngritur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në krye të këtij grupi qëndron Suzana Tabaku, drejtoreshë e sistemit parauniversitar në këtë ministri. Ndërkohë që mësohet se zërave kundër programit i është bashkuar edhe Dhurata Shehri, shefe e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në UT. Në një relacion ku kundërshtohet programi i hartuar për lëndën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, fillimisht theksohen vlerësimet për të.

"Ky program në përgjithësi dëshmon përpjekje për një konceptim të kësaj lënde, sipas standardeve bashkëkohore të ndërtimit të kurrikulës së gjuhës", thuhet në relacion. Ndërsa më tej vijohet se "zbatimi i këtij programi krijon mundësinë për të zhvilluar te nxënësit aftësi të të lexuarit, të shkruarit, të folurit të logjikshëm dhe kritik, aftësi për të përdorur gjuhën e shkruar dhe të folur në mënyrë të saktë dhe në përshtatje me kontekste të ndryshme". Shënimet e mira që cilësojnë vlerat pozitive që sjell ky program vazhdojnë në relacionin që e kundërshton miratimin e tij. Kështu, aty theksohet se është e dukshme që programi është në përputhje me prirjen e sotme të kurrikulës shkollore për vënien e gjuhës në funksion të komunikimit. Po kështu nënvizohet fakti se "programi përmban objektiva që synojnë formimin praktik gjuhësor për ta përdorur mirë gjuhën amtare edhe në lëndët e tjera. Programi dëshmon vazhdimësinë e kurrikulës së lëndës së Gjuhës Shqipe që zhvillohet në sistemin e arsimit bazë".

Polemika

Pas fjalëve të mira vijnë dhe ato që nuk pranojnë miratimin e tij. Në relacion mes kundërshtive për programin thuhet se "aty ka mospërputhje totale ndërmjet emërtimit të lëndës dhe përmbajtjes së tij. Në titull shfaqet emri Letërsi, ndërsa përmbajtja, objektivat e përgjithshme dhe ato sipas linjave janë të papërshtatshme me emërtimin". Argumentimi vijon me faktin se "te nënndarja ‘synimi i lëndës‘, nga tri synime që merr përsipër të realizojë ky program, vetëm në pikën e tretë në artikulimin ‘për të rritur sensin e identitetit kulturor‘ dhe ‘për të krijuar nevoja për kënaqësi estetike‘ mund të gjejmë ndonjë lidhje të largët me letërsinë.

Por lidhur me këtë arsyetim kundërshtues, njëra nga hartueset e programit, Enkeleida Kapia, në një letër shpjeguese dërguar ministrit të Arsimit, Fatos Beja, dhe zëvendëskryeministrit Genc Pollo, shkruan: "Të gjitha synimet, objektivat, linjat dhe nënlinjat e programit realizohen nëpërmjet tekstit të shkruar dhe jo të shkruar (pamor), letrar dhe joletrar. Teksti është boshti rreth të cilit vërtiten të gjitha synimet, objektivat dhe linjat. Kapia ngre pyetjen se si mund të konstatohet që letërsia mungon nga ky program, kur letërsia është e shprehur në tekst"?

Ajo ecën më tej, duke argumentuar se "teksti është mediumi i realizimit të të gjithë programit". Ndërsa sugjeron se "duhet të largohemi nga përqendrimi i lëndës në dy boshte, Gjuhë dhe Letërsi, pasi këto janë të shkrira tashmë. Sipas bashkëhartueses së këtij programi, boshti është teksti dhe nëpërmjet tekstit nxënësi mëson mbi artet e lidhura me të (të lexuarit, të shkruarit, të dëgjuarit, të folurit, të vështruarit) si pjesë të domosdoshme të zbërthimit të teksteve (llojeve të ndryshme).

Kapia saktëson se qëllimi është që nxënësi të mësojë se si të trajtojë tekstin në të gjitha dimensionet e tij dhe këtu nuk bën përjashtim letërsia. Në përgjigjen e saj për kundërshtitë e ngritura mbi këtë program, Kapia vëren se "nga të gjitha llojet e teksteve që njeh fusha (5 lloje), letërsia (teksti letrar) zë përqindjen më të madhe në program. Ajo ka hedhur poshtë mendimin se disa nga synimet, objektivat apo linjat nuk kanë lidhje me letërsinë dhe se asaj i është dhënë një trajtim e aplikim i kufizuar. Lidhur me këtë, Kapia përgjigjet se "letërsia ka trajtime dhe aplikime të gjera dhe nuk mund të përjashtohet nga asnjë synim, objektiv apo linjë e këtij programi. Si të gjitha llojet e teksteve, edhe teksti letrar, thotë ajo, e përgatit nxënësin mbi të gjitha për të ndërmarrë sfida dhe përgjegjësi gjatë jetës në të gjitha kontekstet, duke fuqizuar mendimin e tyre kritik.

Kundërshtimet

Grupi i Ministrisë së Arsimit që kundërshton këtë program ndryshe nga prezantimi i fillimit sugjeron rishikimin e zgjerimit të hapësirës, që duhet të zërë letërsia në të. Ata theksojnë se "në mënyrën se si është hartuar, programi është evaziv dhe nuk i orienton autorët për hartimin e teksteve. Ata kërkojnë që ky program të rishikohet në thellësi, duke marrë për bazë kurrikulat më të suksesshme botërore që janë më pranë gjuhës shqipe dhe që e kanë pjesën e studimit të letërsisë shumë më të gjerë nga ç‘është paraqitur këtu". Tek objektivat, sipas linjave ata konstatojnë se linja "ndërgjegjësimi fonologjik" nuk ka asnjë objektiv që lidhet me letërsinë. Po kështu te linja "njohuritë për fjalën", ku disa nga objektivat lidhen me kuptimet e dyta të fjalëve duhet të trajtoheshin me kuptimet e figurshme të fjalës, duke mundësuar kështu njohjen mbi figurat letrare. Ndërsa në linjën "aftësi të të kuptuarit të tekstit dhe reflektimi ndaj tij", oponenca e ministrisë konsideron se objektivi i parë është jashtëzakonisht i gjerë dhe është e pamundur që të realizohet përmes studimit të fragmenteve. Edhe objektivi i tretë, sipas tyre, ku kërkohet të gjenden tiparet e përbashkëta dhe dallimet midis teksteve të traditës letrare dhe shkrimeve bashkëkohore është i parealizueshëm. Ndërsa vërejnë se te rubrika "rekomandime" nuk specifikohet mbi cilat kritere janë përzgjedhur autorët nga të cilët do të zgjidhen vepra dhe pjesë për të përmbushur objektivat e lëndës. Të njëjtën gjë ata përmendin edhe për përkthyesit e "mirëfilltë".

Imitimi

Duke mbrojtur punën e kryer në programin e Letërsisë për vitet e para të gjimnazeve, bashkëhartuesja e tij, Kapia, vë në dukje mes të tjerash se sa e vështirë është që risia të zërë vend në raport me tradicionalen. Ajo thekson rëndësinë e origjinalitetit. "Një element i rëndësishëm i hartimit të këtij programi është që u panë të gjitha programet e botës për këtë lëndë. Ato çka janë marrë parasysh janë përfundimet shkencore mbi mënyrën se si përvetësohet kjo lëndë e adaptuar në kontekstin shqiptar dhe jo imitime modelesh të caktuara të një shteti apo një shteti tjetër".

Kapia u ka kujtuar drejtuesve të arsimit se "përzgjedhja e një shteti apo një tjetri e bën procesin arbitrar dhe nuk lë vend për origjinalitet për sa i përket kontekstit arsimor shqiptar". Bashkëhartuesja e programit të Letërsisë, Enkeleida Kapia, është lektore për Gjuhën dhe Letërsinë, Këshillimin dhe Zhvillimin e Edukimit në shkolla, në Universitetin e Bostonit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›