E Diel, 1 Nëntor 2026

Ultimatumi i Ramës, PD: “Përpjekje e dështuar”, reagon PS

Autori i Lajmit: Redaksia
Mazhoranca ka bërë të qartë se nuk do të pranojë ultimatumin e Edi Ramës për hapjen e kutive. Gati njëherazi me deklaratën e kreut të socialistëve, Edi Rama, për hapjen e kutive, ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. “E denoncojmë si përpjekje për të përmbysur shtetin kushtetues. Grupi i PD e fton që ultimatumin t’ua çojë don Gramozëve, pasi ultimatumi i Ramës aspirohet nga familja e tij mafioze e don Gramozit dhe ndihmësve të tjerë si ata”, - tha Patozi në një prononcim për mediat. Sipas Patozit, thirrjet e Ramës për hapjen e kutive dhe ultimatumet deri në hapjen e tyre, janë qartazi thirrje kundër rendit kushtetues. “Thirrja për të përmbysur me forcë rendin kushtetues, dëshmon se ky pinjoll i diktaturës dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit po kërkon të dhunoje vullnetin e shqiptarëve që dëshmuan më 28 qershor”, - tha ai. Patozi pohoi se në emër të PD-së i thotë kreut të socialistëve se “ultimatumet dhe dhuna janë rruga e vetme që Rama të firmosë humbjen e turpshme të tij në zgjedhje”. Pas komenteve të tij ka reaguar deputeti socialist, Blendi Klosi. “Astrit Patozi dhe Ilir Meta, u vunë sot në garë, kush i tregon më shumë dhëmbët popullit opozitar. Ata na kujtuan sot ministrat e piramidave që i mbanin asokohe ison faraonit të tyre, Sali Berisha, edhe kur piramidat po u binin mbi kokë”, - tha ai. Klosi pohoi se u është dhënë 10 ditë kohë për të reflektuar e do të jetë shumë keq për ta që ta përdorin këtë kohë për kërcënime. “Lëvizja popullore për hapjen e kutive shumë shpejt do të kthehet në lëvizjen popullore për zgjedhje të parakohshme. Ata që do të mbajnë kutitë e mbyllura forcërisht do të ikin nga pushteti demokratikisht”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›