E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Tiranës, rishfaqet debati qeveri-bashki

Berisha: Brenda vitit do të fillojmë preocedurat e tenderit. Rama: Nuk merret Kryeministri me unazën e kryeqytetit.

TIRANË- Ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës bëhet edhe një herë shkak për rindezjen e debatit midis qeverisë dhe Bashkisë së Kryeqytetit. Deklarata e lëshuar nga kryeministri Berisha duke i kërkuar ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit që brënda vitit të fillojnë procedurat për shpalljen e tenderit për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së Tiranës ka marrë menjëherë përgjigjen e Kryebashkiakut Rama. Sipas tij, Kryeministri po ndërhyn në kompetencat e bashkisë dhe se ndërtimi i unazës nuk është çështje që i përket atij. Duke marrë shembuj nga kryeministrat e vendeve fqinj, Rama tha se Berisha nuk e ka kuptuar ende detyrën e tij.

"Përditë e më shumë po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët që kanë një Kryeministër që nuk kupton detyrën e tij dhe që në shkelje të plotë të të drejtës dhe të detyrës së tij, grabit votat e shqiptarëve, grabit pasuritë e shqiptarëve, grabit gjithçka gjen rrugës, vetëm në funksion të pushtetit të familjes së tij. Përfytyroni për një moment Kryeministrin e Italisë, duke u marrë me Unazën e Romës apo Kryeministrin e Greqisë, duke u marrë me Unazën e Athinës", - tha ai.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha e cilësoi të domosdoshme fillimin e ndërtimit të unazës së madhe të Tiranës duke marrë parasysh futjen në përdorim apo fillimin e punimeve për realizimin e një serë projektesh të tjera që kanë të bëjnë me rrugët të cilat do të ndikojnë në shtimin e trafikut të Tiranë.

"Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit", - tha ai. Më tej Berisha parashtroi disa të dhëna në lidhje me projektin edhe disa ndryshime që sipas tij i duhen bërë studimit të vjetër duke marrë parasysh zhvillimet më të fundit urbane. Sipas, tij rruga mund të shkojë mbi 30 kilometra dhe parashikohet të jetë me tetë korsi.

"Do të studiohet trajektorja, sepse aty ku ka qenë, ajo nuk kalon dot më, pasi janë me ndërtuar me dhjetëra pallate. Segmenti tek shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë zemër e Tiranës. Ndaj duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit", - citoi ai.

Përplasja më e afërt Qeveri-Bashki ka ndodhur vetëm disa ditë më parë, ku kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, kishte akuzuar kreun e ekzekutivit se me ndryshimet e bëra në sistemin fiskal të vendit po tenton të mbushë arkën e buxhetit duke zbrazur atë të pushtetit lokal. Ndryshimet e miratuara tashmë edhe në kuvend parashikojnë uljen e ndjeshme të një serë taksash që vilen nga pushteti lokal, si ajo e ndikimit në infrastrukturë, taksa e tabelës, etj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›