E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, pret në burg damarët e dorës



BURREL/ HASAN PASHA

Pret damarët e njërës dorë sepse nuk i dhanë leje për të vajtur pranë familjes në Dibër. Klodian Kurti, 20 vjeç, i dënuar 2 vjet më parë me heqje lirie për “tentativë për përdhunim” ka tentuar t’i japë fund jetës.
Mesnatën e të premtes mësohet se Kurti ka prerë me brisk damarët e dorës së majtë. Burime të besueshme informacioni pranë Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel thanë se ai ishte me masë disiplinore për shkelje të rregullores së brendshme të këtij institucioni. Një debat mes tij dhe punonjësve të sigurisë ka detyruar zyrtarët e policisë së burgut t’i kërkojnë drejtorit Nerim Dema izolimin e tij në një qeli më vete, duke e privuar nga të drejtat e të dënuarve të tjerë. Kjo masë ndëshkimi dhe refuzimi i lejes për të vajtur në fshatin Luzni, pra në vendlindje, mendohet ta ketë shqetësuar seriozisht 20-vjeçarin, i dënuar gjithsej me 5 vjet heqje lirie. Askush nuk thotë se si ai ka siguruar briskun për të prerë damarët e dorës, por rreth orës 23:00 rojet e sigurisë kanë dëgjuar ulërimat e një të dënuari në seksionin C të këtij burgu. Duke vrojtuar nga “frëngjia” e qelisë së të burgosurit Klodian Kurti, gardianët kanë parë atë të shtrirë në dyshemenë e qelisë, teksa rënkonte. Janë njoftuar shumë shpejt drejtuesit e institucionit, ata të sektorit të shëndetësisë, policia lokale dhe prokurori i rrethit që merret dhe me çështjet në këtë burg. Personeli shëndetësor i ka dhënë ndihmën e parë dhe më pas, me lejen e autoriteteve të burgut Kurti është transportuar me ambulancë për në spitalin e qytetit të Burrelit. Burime pranë urgjencës së spitalit thanë për “Panorama” se rreth mesnatës ka mbërritur një urgjencë nga burgu i Burrelit. “Forca të shumta policore rrethuan gjithë poliklinikën e spitalit “Xhavit Mara” dhe më vonë, në urgjencë mbërriti Klodian Kurti, 20 vjeç, i dënuar. Ai kishte hemorragji nga dora e majtë, marrje mendsh dhe fliste përçart”, thanë burime pranë urgjencës. Mjekët kanë konstatuar se gjendja e pacientit ishte serioze dhe kanë urdhëruar transportimin e tij drejt kryeqytetit. “Ishte e pamundur të kryhej një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin tonë”, thanë të njëjtat burime. Policia e burgut dhe një ambulancë e spitalit të qytetit të Burrelit kanë lëvizur mëngjesin e djeshëm drejt spitaleve të Tiranës. Ngjarja e rëndë ka shokuar të dënuarit e tjerë, ndërkohë që ka vënë në lëvizje strukturat drejtuese të burgut. Prokuroria dhe drejtoria e burgut kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mësohet se po hetohet për të gjetur mënyrën se si është futur në burg brisku dhe sende të tjera të ndaluara, aq më tepër në një qeli ku ishte sistemuar vetëm një person me masë disiplinore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›