Shkodër, 11 milionë euro për modernizimin e spitalit
SHKODER – Spitali rajonal i Shkodrës merr pamje bashkëkohore me përfundimin e fazës së tretë të rikonstruksionit. Kjo fazë pritet të përfundojë pas 22 muajsh, në projektin e së cilës është ndërtimi i një ndërtese 4-katëshe ku do të transferohen reparte të ndryshme, laboratorë dhe zyra. Drejtori i këtij spitali, Namik Kamberi u shpreh dje, se në godinën e re do të vendoset Spitali Infektiv, Spitali i Neurologjisë, punkti i gjakut, si dhe zyrat e administratës. “Pranë kësaj godine do të ndërtohet një impiant, për eliminimin e mbetjeve spitalore”, pohon Kamberi. Përsa i përket impiantit, projekti parashikon djegien e mbetjeve me një temperaturë 1 mijë gradë celsius dhe energjia e çliruar do të përdoret për ngrohjen e ambienteve të spitalit. Në përfundim të fazës së tretë të projektit për rehabilitimin e spitalit rajonal Shkodër, poliklinika e qytetit do jetë në afërsi të spitalit, ku qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet e duhura. Mësohet se ky projekt që financohet nga Banka Botërore e Qeveria shqiptare kap shifrën e rreth 11 milionë eurove. BB, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare ka bërë të mundur ndërtimin e rehabilitimin e spitalit të kryeqendrës së veriut, me një sipërfaqe prej 3.500 metra katrorë. Gjatë dy fazave të para u ndërtuan objekte të reja dhe u bë rehabilitimi i një sërë pavijonesh për shërbime, si: radiologjia, departamenti i lindjes, ORL, etj. r.d