E Shtunë, 31 Tetor 2026

I doli kundër, Ndoka kërkon shkarkimin

Marrëdhënia e ftohur mes ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të spitalit "Nënë Tereza" u bë objekt diskutimi pak muaj më parë. Por çarja mes këtyre të dyve është bërë publike vetëm dje. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i ka dërguar Kryeministrit një shkresë zyrtare, ku kërkon shkarkimin e drejtorit të QSUT-së Mati Pepa, që sipas Ndokës është fajtori, që ka krijuar të gjithë këtë situatë. Motivacioni kryesor për të cilën kërkohet largimi i tij është dështimi në menaxhimin e spitalit. Por nga ana tjetër drejtori Mati Pepa ka sqaruar duke thënë se: "Vendimin për shkarkimin tim siç thuhet edhe në ligj e ka vetëm Kryeministri".

Sipas ministrisë, kërkesa për shkarkim është nisur në përfundim të një analize pune të aktivitetit drejtues njëvjeçar në QSUT. Në motivacionin e propozimit, ministri Ndoka ka nënvizuar përgjegjësinë direkte të drejtorit të QSUT-së në mungesën e bashkëpunimit dhe frymën konfliktuale të krijuar midis këtij institucioni dhe stafit të pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë. "Përgjegjësia është e drejtuesve dhe e drejtorit të QSUT-së. Për më tepër, gjatë gjithë periudhës së grevës Mati Pepa u largua me pushime afatgjata, duke mos vendosur asnjë linjë zyrtare komunikimi me stafin pedagogjik", sqaron kreu i Shëndetësisë. Më tej bën përgjegjës drejtorin e QSUT-së për faktin se gjatë vitit 2007, QSUT-ja shënoi një shifër rekord mosrealizimesh të investimeve rreth 3.5 herë më pak sesa plani vjetor. "Ai është përgjegjës edhe për problemet e mëdha me administratën, shkarkimet, lëvizjet, pezullimet dhe emërimet jashtë kritereve ligjore. Mjaft raste publike, të denoncuara përmes medias apo në rrugë zyrtare, nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare dhe personat e akuzuar janë rikthyer në punë, në të njëjtat funksione, duke i dhënë një goditje besimit të qytetarëve te masat antikorrupsion", thuhet në shkresë.

Nga ana tjetër, drejtori Pepa është përgjigjur duke thënë se: "Ky urdhër është i pabazuar në Kushtetutë, neni 102 pika tre thotë se Kryeministri në zbatim të kompetencave të tij nxjerr urdhrin për emërimin e drejtorit të QSUT-së, dhe unë jam emëruar prej Kryeministrit. Pra është ai që mund të më shkarkojë mua nga kjo detyrë, sipas procedurave ligjore. Por ministri Ndoka nuk i njeh këto procedura".

"Unë kam lirinë time intelektuale dhe pozicionin tim aty ku dua djathtas. Nuk e ndryshoj pozicionin tim për tekat e Nard Ndokës. Ai në vend që të merret me punë konkrete, pasi nuk ka filluar asnjë procedurë tenderi në Ministrinë e Shëndetësisë, na akuzon se nuk dimë të bëjmë tenderë. Por ne kemi gati 11 procedura tenderimi, edhe pse nuk kam marrë në drejtorinë juridike atë që donte Ndoka", deklaron drejtori. Ai vijoi duke thënë se: "Unë dërgoj disa shkresa rresht ku i them se mund të vihemi në vështirësi për medikamente që më datë 22.2.2008. Më pas, më datën 4.4.2008 duke i kërkuar të marrë masa për situatat që mund të vijnë. Ai më përgjigjet me dy gisht letër "na jepni ilaçet emër për emër", gjë që unë ia kam dërguar që më datë 22.2.2008. Ndoka të kujdeset për këtë situatë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›