E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët mbrojnë kolegun: Hoxhallari është i pafajshëm

Mjekët mbrojnë mjekun. Ekipi i profesorëve të ORL-së në spitalin "Nënë Tereza" ka kërkuar saktësim të raportit mjekoligjor për rastin e 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti.

Sipas tyre, raporti paraprak, i papërfunduar, ka nevojë për rivlerësim para mbërritjes në përfundimin se cili ishte shkaku i vdekjes së Petritit. Kolegët e mjekut kirurg, Xhevahir Hoxhallari, kanë kundërshtuar akuzat e fajësisë së tij për vdekjen e vajzës, pas kryerjes së operacionit në bajame. "Mendoj që vdekja e pacientes së operuar nga bajamet nuk ka ardhur nga hemorragjia në vendin ku është kryer ndërhyrja. Nuk kam bindjen mjekësore klinike, anatomopatologjike, që ky operacion u bë shkak i vdekjes", tha mjeku i ORL-së, Adnan Këlliçi. Sipas tij, pacientja në bazë të kartelës klinike, pa marrë parasysh mjekësinë ligjore, është ndjekur në mënyrë shembullore, edhe kur nuk ka pasur hemorragji. Ai tha se shkakun e vdekjes së vajzës, e përcakton vetëm autopsia specialistike. Sipas të dhënave paraprake të autopsisë, u deklarua se vdekja e 17-vjeçares kishte ardhur si pasojë e shokut hemorragjik pas ndërhyrjes kirurgjikale të heqjes së bajameve. Sakaq, drejtoria e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" ka deklaruar se ditën e premte do të mbërrijë një raport i kompletuar për sa i takon çështjes së vdekjes së Matilda Petritit. Mjekësia Ligjore, Pavijoni i ORL-së dhe Urdhri i Mjekëve do të dorëzojnë tri dosje të dhënash për çështjen në fjalë. Në rast se përfundimet fajësojnë mjekun për neglizhencë, atëherë Hoxhallarit do t‘i duhet të lërë punën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›