E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e qytetit dhe by pass-i, veprat që do kompletohet gjatë mandatit të ardhshëm

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit

Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës së tij në qytetin e Shkodrës siguroi banorët se “Qeveria është e gatshme të realizojë çdo projekt që i jep Shkodrës, fytyrën evropiane”. 

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një segment me gjatësi 40 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra, i cili është financim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare me vlerë 40 milion euro. Duke folur për infrastrukturën rrugore e cila gjatë gjithë mandatit të tij ka qenë prioritare, Kryeministri Berisha tha se “ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore”. Duke e vlerësuar këtë rrugë si mjaft të rëndësishme, Kryeministri Berisha tha se “Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti, fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë, ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi”, tha Kryeministri Berisha. Ndërtimi i kësaj autostrada do të bëhet i mundur nga kompania “Matarela”, një prej kompanive më të njohura në Itali. Kryeministri Berisha i kërkoi Presidentit të kompanisë që punimet të ecin me ritme të shpejta, pasi sipas Kryeministrit kjo do të ndikojë në të ardhurat ekonomike të Shkodrës, dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi. “Së paku në dy sezone të punohet me tre turne, pasi çdo ditë e fituar në këtë rrugë të re është një e ardhur shumë e madhe për ekonominë e Shkodrës dhe ekonominë shqiptare në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij përpara banorëve të Shkodrës, Kryeministri Berisha nuk ka nguruar të flaës për një tjetër projekt mjaft të rëndësishëm për këtë qytet. “Unaza e qytetit është një nga projektet më të rëndësishme që do shndërrohet në realitet”, tha kryeministri Berisha. “Siç ka bërë qyteti shëtitoren, ashtu do jetë edhe unaza e liqenit, një liqen shumë i bukur dhe me një klimë të mrekullueshme, që do shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme turistike të vendit”, premtoi Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha ka folur për një projekt tjetër mjaft të rëndësishëm, ndërtimin e by-pass-it, të cilin mund ta ndeshësh vetëm në qytetet më të mëdha evropiane. “By pass-i është një vepër tjetër e rëndësishme, që do kompletohet gjatë mandatit të ardhshëm”. “Unaza i mbetet qytetit, ndërsa by pass-i përjashton të gjithë trafikun ndërkombëtar dhe ndikon fuqishëm edhe në mbrojtjen e tij brenda qytetit”, tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar këtë takim për t`i bërë thirrje socialistëve të Shkodrës që të bashkohen në projektin evropian të autostradave, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave e pensioneve, shërbimeve shëndetësore. Një tjetër ndalesë Kryeministri Berisha e ka bërë buzë liqenit të Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shëtitores së qytetit, buzë liqenit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›