Kristo: Topi të mos i votojë gjyqtarët
Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ka deklaruar dje se Presidenti duhet të emërojë sa më shpejt katër anëtarët vakantë të Gjykatës së Lartë, pasi sipas tij situata është alarmante. Duke folur për situatën e gjyqësorit, kreu i institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit, deklaroi se “ka një problem. Unë respektoj vendimmarrjen e Presidentit të Republikës. Nuk është normale. Ajo është një gjykatë që ka një ngarkesë të jashtëzakonshme pune dhe ka nevojë urgjente, të domosdoshme, që të kompletohet. Kjo gjendje krijon vështirësi të mëdha në funksionimin e saj”, Ndërkaq, në lidhje me procesin tjetër paralel të zëvendësimit të gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kristo ka deklaruar se kjo çështje nuk është ende në kufijtë që përbën shqetësim. “Nuk besoj se ka ngërç kushtetues, sepse Kushtetuta e ka parashikuar që mandati i gjyqtarit, pavarësisht se nga pikëpamja juridike deklarohet i përfunduar, vazhdon deri në zëvendësimin e tij nga pasardhësi. Nuk mund të krijohet ndonjë bllokim i gjykatës. Kryetari vazhdon formalisht të drejtojë mbledhjet, derisa të zëvendësohet nga pasardhësi i tij”, deklaroi ai. Ndërkaq, kreu i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të ditur se nuk mund të ketë gjyqësor të pavarur pa njerëz me integritet që punojnë në këto institucione. “Gjithmonë flitet për një pavarësi të prokurorisë së gjykatave në një plan pak abstrakt. Sikur mjafton të kemi pavarësi institucionale dhe s’duhet gjë tjetër, por se kush e bën këtë pavarësi, mua më duket jo vetëm perceptim i gabuar, por edhe i rrezikshëm. Pavarësia fillon te gjyqtari, te prokurori, fillon tek individi, pavarësi te çdo individ për të mbushur detyrat e veta dhe pastaj bashkimi i gjithë këtyre individëve të çon te pavarësia institucionale. Unë e shoh të shprehur mjaft mirë në funksionimin kushtetues, kam bindje që një njeri me integritet nuk mund të bëhet bisht apo zëdhënës i politikës”, u shpreh Kristo. Debati mbi pavarësinë e gjyqësorit është diskutuar dje gjerësisht në një tryezë të rrumbullakët me temë “Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese”. Aktiviteti i përbashkët i dy gjykatave kushtetuese promovoi edhe librin “Vendime të Përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane”. Pjesëmarrësit në aktivitet, përfaqësues të institucioneve të KLD, Avokatit të Popullit, Gjykatës së Lartë, gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të botës akademike, ndanë në tryezë të njëjtat mendime sa i përket nevojës së pavarësisë së gjyqësorit në përgjithësi dhe drejtësisë kushtetuese në veçanti. Një element shumë i qenësishëm i pavarësisë së gjyqësorit, theksoi në fjalën e vet Hartwig, është sidomos ai i procedurës së emërimit të gjyqtarit kushtetues, proces që duhet të gjejë patjetër konsensusin edhe të opozitës, për ta bërë atë të paparagjykuar në veprimtarinë e tij pas emërimit. Probleme të mprehta të gjyqësorit, si ai i pavarësisë financiare, si një mjet i nevojshëm për të zvogëluar presionin ndaj gjyqësorit, profesionalizmit të lartë të gjyqtarit kushtetues për të siguruar në këtë mënyrë integritetin e tij etj., ishin pjesë e debatit në tryezë. Gjykata Kushtetuese pritet të rinovohet në pjesën më të madhe të saj, pasi gjashtë anëtarëve të saj u përfundon mandati. Deri tani kanë mbyllur mandatin: Kujtim Puto, Fehmi Abdiu dhe Sokol Sadushi. Në muajin maj përfundon mandati i tre gjyqtarëve të tjerë, përkatësisht Petrit Plloçit, Xhezair Zaganjorit dhe Admir Thanzës. Ndërkaq, në mesin e muajit maj mbaron edhe mandati trevjeçar i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, i cili ka të drejtën e riemërimit edhe për një mandat tjetër.
#