E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë nuk jam Neda Soltan

“Shërbimet sekrete donin të më bindnin që të prezantohesha në televizionin iranian për të treguar se Neda ishte gjallë dhe se videoja që qarkullonte në internet ishte vetëm një montazh” “Regjimi më persekutonte, donte që të më zëvendësonte me viktimën e tij”

Vdekja e Neda Agha-Soltan tronditi miliona persona në të gjithë botën. Pak më shumë se një vit më parë, studentja iraniane u vra nga milicia e Ahmadinexhadit në një rrugë në Teheran. Në një
video që qarkullonte në rrjet, miliona njerëz panë momentet e fundit të jetës së vajzës së re e qëlluar për vdekje nga një plumb i policisë iraniane: e shtrirë për tokë me sytë gjysmë të mbyllur dhe gjakun që i rridhte nga goja dhe hunda, ndërsa disa burra përpiqeshin më kot ta ndihmonin duke e thirrur në emër: “Neda”, “Neda”!. Ato imazhe ishin prova më tronditëse e represionit brutal të regjimit të Ahmadinexhadit kundër qindra mijëra njerëzve që protestonin për rezultatin e zgjedhjeve që solli sërish në pushtet Ahmadinexhadin. Neda u bë ikonë e lëvizjes opozitare. Mes atyre që e panë atë imazh tronditës ishte një tjetër vajzë e re iraniane. Kishte të njëtin mbiemër me vajzën e vrarë, Soltani, dhe ajo frekuentonte të njëjtin universitet Azad, edhe pse ishte katër vjet më e madhe se Neda Soltan dhe punonte si mësuese. Edhe ajo thirrej në mënyrë familjare Neda, edhe pse emri i saj i vërtetë ishte Zahra. Sot në Iran është shumë e zakonshme që gratë që kanë pasur emra tipikë islamikë si Zahra apo Fatemeh, preferojnë të thirren me emra që nuk i përkasin traditës islamike. Neda Soltan nuk do ta harrojë kurrë ditën kur mësoi për vdekjen e saj në televizor, shoqëruar me foton që i kishin marrë nga profili i saj në “Facebook”.

Sapo videoja e vdekjes së Nedës u shpërnda në internet shtypi ndërkombëtar u përpoq të kuptonte se kush ishte ajo vajzë. Nga rrjeti doli kështu një fotot e Neda Soltanit, 33 vjeçe që ngjante shumë me viktimën, të paktën për aq sa të lejonte pamja që dukej jashtë shamisë që mbante në kokë. Fotoja e saj u publikua në internet si ajo e vajzës së vrarë dhe u vendos në shumë reportazhe televizive. “Një gabim që ka ndryshuar jetën time”, tregon sot e sigurt në Gjermani ku ka arritur të marrë azilin politik. Jeta e saj e qetë e ndarë mes shtëpisë dhe mësimdhënies përfundoi menjëherë. Ajo kujton ende surprizën e të gjeturit të dhjetëra mesazheve në e-mail dhe tronditjen kur zbuloi se e kishin quajtur të vdekur. Vajza i përgënjeshtroi të gjitha këto fakte dhe kështu bëri edhe familja e Nedës së vërtetë që publikoi në internet fotot e vajzës së vrarë. Por autoritet iraniane, që në mënyrë të dëshpëruar kërkonin të kontestonin videon që tregonte për përmasat e dhunës së përdorur kundër manifestuesve, mendonin e kishin gjetur mënyrën për të surprizuar botën. Në 24 qershor, ditën pas publikimit të fotos në internet , policia sekrete kishte rënë në gjurmët e saj. E frikësuar Neda Soltani vendosi të kontaktonte me median ndërkomëbtare dhe “Amensty International” për të kërkuar ndihmë. Shërbimet sekrete e thirrën për ta pyetur tre ditë më vonë. “Donin të më bindnin që që të prezantohesha në televizionin iranian për të treguar se Neda ishte gjallë dhe se videoja që qarkullonte në internet ishte vetëm një montazh. Donin që të thoja se fotoja ime u ishte dhënë mediave perëndimore nga ambasada greke. Pastaj kaluan te kërcënimet dhe duke më vënë përballë telefonatave që kisha bërë për “Amnesty International” më thanë se nuk kisha zgjidhje tjetër: ose të bëja si thonin ata ose do të akuzohesha për spiunazh”. Një ditë më pas Neda Soltan u largua nga Irani. “Gjithccka që kisha ishte një valixhe, lap topi dhe një ccantë e vogël”, tregon për “Neë York Times”. Qëndroi në Turqi për nënëtë ditë, pastaj kaloi në Greqi dhe që andej në Gjermani. Tani Neda soltani jeton në rrethinat e Frankfurtit, nuk punon dhe e ndjen veten të përhumbur. “Kam nostalgji për shtëpinë. Jeta ime u trazua nga media perëndimore dhe nga policia sekrete iraniane. Shpresoj që të paktën mediat ta kuptojnë atë që kanë bërë”

Videoja e Nedës

Autenticiteti i videos dhe burimi i plumbit nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por këto nuk kanë shumë rëndësi, sepse tashmë milionë iranianë dhe miliona familje iraniane në të gjithë botën e besojnë këtë tragjedi. Sipas disa raporteve, ajo ose është qëlluar nga milicia Basij, një forcë policore e përbërë nga vullnetarët, ose nga policia e fshehtë. Një tjetër rrëfim i postuar në internet nga dikush që pretendon se ka qenë dëshmitar i sekondave të fundit të jetës së Nedas, thuhet se ajo është qëlluar me snajper nga një ushtar i Basij, që ndodhej në majën e një tarrace. Sipas dëshmitarit, gjithçka duket e përllogaritur. Plumbi ishte shumë i saktë dhe qëlloi drejt e në zemër duke i lënë vetëm disa sekonda jetë. Për sa i takon videos, ajo duket të jetë realizuar fillimisht nga një telefon celular dhe nuk hedh dritë mbi ekzekutorin e viktimës, por është një video shumë shqetësuese. Ajo paraqet vajzën të zhytur në gjak, shtrirë me kurriz me fytyrën e mbështetur në tokë. Shamia i ka rënë dhe flokët e zinj i janë përhapur në asfalt. Pranë saj ndodhen dy burra. Ndërsa kamera fokusohet në fytyrën e saj, sytë tashmë ia kanë humbur përqendrimin dhe ajo ndodhet në frymëmarrjet e fundit. "Mos ki frikë, Neda e dashur", thotë pa pushim një nga burrat që është aty afër. Ndërkohë gjaku ka bërë një pellg të madh rreth tyre dhe zëri i burrit, sa vjen e bëhet më i dëshpëruar. "Neda qëndro me mua, rri këtu", dëgjohet zëri i një burri tjetër. Por videoja ndërpritet në mënyrë brutale. Pamjet e përgjakshme patën një ndikim shumë të madh në opinionin publik në Iran, ku ideja e martirit është e ngulitur thellë në historinë e vendit dhe historitë e islamit shiit, një besim i themeluar në idenë e vetësakrifikimit për çështjen e drejtësisë. "Kjo është një pamje që do të varroset në mendjet iraniane dhe do ta shoqërojë këtë regjim përgjithmonë", thotë një analist iranian.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›