E Diel, 1 Nëntor 2026

Listat e fituesve në universitete, brenda gushtit

Degët më të preferuara për këtë vit janë mjekësia, ekonomiku dhe informatika. Kërkesa të shumta edhe Universiteti i Kamzës

Emrat e maturantëve që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e larta, do të publikohen në të gjithë vendin brenda muajit gusht.

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se degët më të preferuara për këtë vit janë mjekësia, ekonomiku dhe informatika.

Ndryshe nga përvojat e kaluara, kur sistemi i maturës shtetërore nuk ishte “përtypur” siç duhet nga maturantët, këtë vit të rinjtë janë treguar më të kujdesshëm në përzgjedhjet e 10 degëve të preferuara. Formula “magjike” e përllogaritjes së pikëve i ka shërbyer çdo nxënësi të jetë më i qartë për drejtimin që duhet të zgjedhë, ose më saktë për degët ku probabiliteti për të qenë fitues do të ishte më i madh. E rëndësishme është që ata janë ndërgjegjësuar për të kuptuar se deri ku mund të arrijnë nëpërmjet pikëve të grumbulluara. Në këtë mënyrë, edhe nëse nxënësit nuk i jepet mundësia për të studiuar në degën e parë për nga përzgjedhja, ka të paktën më shumë shanse për të fituar alternativën e dytë, që përafron me profilin e shkollës së mesme.

“Kandidatët për studentë janë bërë më konkretë dhe praktikë. Kjo pa diskutim ka ardhur nga asistenca e dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me qëllim regjistrimin e sa më shumë fituesve. Trend po marrin edhe universitetet bujqësore, siç është ai i Kamzës. Nuk kemi bum tendencash, por një analizë matematike dhe pragmatiste të tregut, duke shqyrtuar kërkesën dhe ofertën”, sqaroi Malaj.

Këtë vit të rinjtë mund të vijojnë studime dyvjeçare, për t’u specializuar më tepër në një profesion të caktuar. Kreditet e dy viteve njihen vetëm nëse ata duan të vijojnë studimet e mëtejshme.
“Ka edhe nga ata që nuk arrijnë të fitojnë të drejtën për të studiuar për mjekësi, por kanë aq pikë sa për të bërë laborantin. Pas studimit dyvjeçar, nëse arrihen rezultate shumë të mira plotësohen kriteret, kështu që ai mund të vazhdojë sistemin trevjeçar dhe më pas masterin profesional”, theksoi zëvendësministrja e Arsimit.

Ndërsa për sa i takon provimeve të fundit të maturës shtetërore, ku në disa shkolla është verifikuar se nxënësit kanë kopjuar tezën në mënyrë të organizuar, Ministria e Arsimit ka parashikuar marrjen e masave për 20 mësues.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›