E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrë e posaçme për tu pajisur me leje shëndetësore

Higjiena Pezullohet shpërndarjen e librezave shëndetësore për subjektet që tregtojnë produkte ushqimore

Inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë pezulluar shpërndarjen e librezave shëndetësore, për punonjësit e restoranteve, bareve, apo atyre që tregtojnë produkte të akulloreve. Drejtori i Inspektoratit të Higjienës, Mhill Gecaj, tha se nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, se është ngritur një strukturë e re që do të merret me pajisjen e librezave shëndetësore. Sipas tij, nuk do të jenë më inspektorët ata që do t’i shpërndajnë këto libreza, në mënyrë që të shmangen abuzimet që janë konstatuar deri më tani. “Unë kam ndërprerë në mënyrë të menjëhershme dhënien e librezave nga inspektorët. është krijuar një zyrë e posaçme, pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, e cila do të funksionojë për çdo ditë me orare të plota. Pas kësaj do të jenë vetë subjektet ato që do të paraqiten pranë kësaj zyre për t’u pajisur librezën shëndetësore”, tha Gecaj. Madje, ai sqaroi edhe disa prej pikave, që duhen plotësuar për t’u pajisur me librezë shëndetësore.

“Që të marrësh një librezë shëndetësore do të thotë që të kesh kryer disa ekzaminime, duke filluar që nga mjeku i familjes, aty ku çdo person ka kartelën e tij personale. Duhet medoemos të kryhet ekzaminimi laboratorik pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik. Një ekzaminim radiologjik ose te mjeku pneumolog, për të parë nëse kemi vatra turbekulozi. Pa kryer këto katër ekzaminime personi nuk mund të pajiset me leje shëndetësore”, theksoi Drejtori i Inspektoratit të Higjienës. Drejtoria e Shëndetit Publik gjatë periudhës së verës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha subjektet për evidentimin e kushteve higjieno-sanitare në të cilat tregtohen produkte të ndryshme ushqimore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›