Lënia në harresë e politikës së jashtme
Është fakt se amerikanët shpesh e kanë të vështirë ta kuptojnë se përse detajet e politikës së jashtme duhet të kenë rëndësi për ta. Fatkeqësisht, kandidatët republikanë nuk kanë ndihmuar shumë në këtë aspekt
Për pjesën më të madhe të joamerikanëve, gara për nominimin presidencial republikan, ku do të zgjidhet kandidati i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2012, e cila, meqë ra fjala, do të vazhdojnë gjatë tërë verës, mbase paraqet një demonstrim lemeritës të asaj që amerikanët dhe liderët e tyre nuk dinë për politikën e jashtme. Pothuajse çdo debat po e zbulon faktin se asnjëri prej kandidatëve që synon ta sfidojë presidentin Barack Obama nuk është edhe aq i interesuar për detajet e marrëdhënieve të Amerikës me botën, e të mos përmendim krizat në peizazhin ndërkombëtar, posaçërisht ato që nuk kanë të bëjnë me ushtarët amerikanë.
Në të vërtetë, injoranca duket të jetë burim fuqie për kandidatët që ende ndodhen në garë. Kur John Huntsman, një kandidat i hershëm, shfaqi një aftësi të njëmendtë intelektuale, duke vënë në pah disa pika të rëndësishme në raport me Kinën, të cilat i demonstroi në gjuhën mandarine, disa prej kandidatëve të tjerë u përgjigjën me kritika. Madje edhe vetë njohuria e perspektivës kineze duket se ka qenë diskualifikuese për Huntsmanin, i cili shumë shpejt i dha fund kandidaturës së tij. Është fakt se amerikanët shpesh e kanë të vështirë ta kuptojnë se përse detajet e politikës së jashtme duhet të kenë rëndësi për ta. Fatkeqësisht, kandidatët republikanë nuk u kanë ndihmuar edhe aq shumë në këtë aspekt. Më 2008, kandidati i atëhershëm presidencial, John McCain, herë pas here mundohej që ta bënte një gjë të tillë. Ai madje u pati munduar që një audience skeptike t’ia sqaronte qëndrimet e veta rreth problemeve gjithnjë e më të shumta në Baluchistan. Megjithatë, kandidatët kryesisht janë munduar që të mos u hynin telasheve duke folur kinezisht, apo duke diskutuar për provincat problematike pakistaneze.
Bota pret që populli amerikan – drejtuesit e superfuqisë së vetme të botës – të jenë më të angazhuar në çështjet e politikës së jashtme. Në vend të kësaj, amerikanët po reduktojnë me të madhe praninë e tyre nëpër botë. Vizitorët e huaj në SHBA shpesh thonë se amerikanët mbase janë në mesin e njerëzve më patriotë në botë dhe ky patriotizëm po rritet gjithnjë e më shumë. Njerëzit më parë vendosnin flamujt amerikanë nëpër shtëpitë e tyre vetëm gjatë festave. Përndryshe, flamujt mund t’i shihje vetëm në ndërtesat shtetërore. Sot flamujt vendosen kudo, përgjatë tërë vitit ( më të mëdhenjtë nëpër shitoret e veturave, pa marrë parasysh se çfarë veturash shiten). Ngjashëm, lojërat e bejzbollit në të kaluarën fillonin me himnin kombëtar; mirëpo tani edhe gjatë lojës, adhuruesve u kërkohet që të ngrihen në këmbë dhe ta këndojnë “America the Beautiful”. Sa për të qenë të sigurt, një pjesë e dinamikës aktuale ka të bëjë me pasojat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Megjithatë, kjo valë e sensit të patriotizmit po vazhdon nga motive edhe më të fuqishme – mbase nga përshtypja se motivet e Amerikës nuk po kuptohen ashtu si duhet në pjesën tjetër të botës. Një këngë e popullarizuar popullore e përmbledh tërë këtë më refrenin: “Jam krenar që jam amerikan, ku të paktën e di se jam i lirë”.
Të paktën Amerika ka pasur ekonomi të bazuar në dije dhe një prej standardeve më të larta të jetesës në botë tashmë sa dhjetëvjeçarë. Madje edhe sot, ekonomia amerikane mbetet një nga gjërat më të admirueshme në pjesën tjetër të botës – përfshirë edhe Kinën. Megjithatë, amerikanëve kjo gjë nuk u duket inkurajuese. Më kujtohet pamja e dhimbsur që mori fytyra e një vëzhgueseje amerikane të zgjedhjeve në Irak, një ligjvënëse e shtetit të Teksasit, kur, pasi që e pyeti një zyrtar irakian nëse Iraku e ka ndërmend t’ia kthejë SHBA-së për “sjelljen e demokracisë” në shtetin e tij, zyrtari (që fillimisht nuk e kishte kuptuar pyetjen) e tundi kokën me nervozizëm. Ajo u largua. Debatet presidenciale të këtij viti kanë trajtuar temat e politikës së jashtme vetëm në atë kontekst nëse kandidati do të jetë “këmbëngulës” për t’u marrë me sfidat – pra më shumë si çështje e vendosmërisë emotive, sesa themeleve intelektuale të domosdoshme për t’i kuptuar ato sfida. Historia politike amerikane është përplot me presidentë, të cilët në njërën apo në tjetrën mënyrë nuk dukeshin të aftë në skenën botërore. Takimi i parë i presidentit John F. Kennedy me kryeministrin sovjetik, Nikita Khrushchev, mbetet i veçuar në folklorin politik amerikan: presidenti i ri amerikan disi jep përshtypjen se nuk është i nivelit të homologut të tij sovjetik, i cili më pas mundohet që disi fshehurazi të vendosë raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi në Kubë, një hap ky që e afroi SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik më afër se kurrë luftës. Duke i pasur parasysh rrëfimet e tilla, politika e jashtme në fushatat politike amerikane ka të bëjë më shumë me kontrollin e testosteronit, sesa me atë që njëmend ka rëndësi: testimin e njohurive dhe aftësive të të gjykuarit. Lajm i mirë është se ka dëshmi të bollshme historike që tregojnë se pas marrjes së postit, kandidati siguron njohuri të çështjeve dhe e fiton sensin për menaxhimin e tyre – një fakt që duhet ta qetësojë publikun ndërkombëtar. Mirëpo, pa marrë parasysh nëse faji qëndron tek shikimi i tepërt e televizionit kabllor apo tek vetë debatet e tepërta, ky “sezon i budallallëqeve” është dukur i tejzgjatur, madje edhe frikësues. Mbase kandidatët presidencialë duhet ta dinë, apo të paktën të shprehin interesimin për ta ditur se bota i dëgjon fjalët e tyre me më shumë kujdes, sesa që ata kanë shfaqur duke i shqiptuar ato.
Autori është ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, ambasador në Irak, Kore të Jugut, Maqedoni e Poloni, si dhe i dërguar special amerikan për Kosovën dhe negociator në arritjen e Marrëveshjes së Daitonit
Marrë nga “Project Syndicate”