Uniformat, arritje e FA - tenderi, në përputhje me ligjin dhe me standardet e NATO-s
Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron akuzat e mediave të kontrolluara nga PS
“Sulmet për parregullsi ligjore në prokurimin e uniformave të FARSH nga disa gazeta të Partisë Socialiste janë historia e radhës e trilluar kundër Ministrit të Mbrojtjes”. Kështu thuhet në një deklaratë sqaruese për mediat, të Ministrisë së Mbrojtjes. “Projekti i uniformave të reja të Forcave të Armatosura është një ndër projektet më të rëndësishëm dhe të suksesshëm të realizuar gjatë viteve të fundit nga Ministria e Mbrojtjes.
Projekti ka filluar në vitin 2010 me dizajnimin e uniformës ushtarake, duke e larguar atë nga stili i vjetër sovjetik. Uniforma e re e konceptuar nga një prej kompanive më të mira ndërkombëtare në fushën e dizajnit të uniformës ushtarake, proces i mbikëqyrur nga një grup ekspertësh nga më të mirët në Shqipëri, i përbërë nga ushtarakë, specialist të artit të grafikës, pedagogë, historianë, etj, është një ndër uniformat më të arrira të ushtrive të NATO-s, në përmbushje të standardeve të NATO-s”- thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë reagim thuhet më tej se, prokurimi është zhvilluar nga Brigada Logjistike, njësia që merret me mbështetjen logjistike të FA, dhe sipas raportit të saj, të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare. “Për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare një prej problemeve më të mëdha të mungesës së uniformave për Forcat e Armatosura dhe për të shmangur prokurimet emergjente në raste të nevojave për misione ndërkombëtare, Ministria e Mbrojtjes vendosi që projekti i prodhimit të tyre të shtrihej në disa vite buxhetore dhe të ishte i hapur për kompanitë me eksperiencë të gjatë në prodhimin e uniformave për ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s. Prokurimi është zhvilluar nga Brigada Logjistike, njësia që merret me mbështetjen logjistike të FA, dhe sipas raportit të saj, të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare. Prokurimi ka kohë që është zhvilluar dhe ka qenë elektronik, i hapur, transparent dhe sipas ligjeve të vendit. Detajet teknike të prokurimit janë transparentë dhe të kontrollueshëm si sot edhe nesër. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe Komandat e saj kanë përgjegjësinë ligjore për të vijuar punën”- vijon më tej reagimi për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes, pas akuzave të mediave të kontrolluara nga PS, për parregullsi në tenderin e uniformave ushtarake.