E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitet, rrethet vende të shumta bosh

19/09/2009  Çregjistrimi

Bazuar në urdhrin e regjistrimeve për lëvizjet e preferencave, kandidatët që kanë ndryshuar në renditjen e preferencave domosdoshmërisht duhet të çregjistrohen, në të kundërt rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Kështu, nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë.

Regjistrimi përfundimtar

Vetëm pas përfundimit të procedurës së mësipërme kandidati mund të shkojë për t’u regjistruar në preferencën e tretë, që është përzgjedhja më e lartë e tij në formularin A-2. Për të bërë çregjistrimin kandidatët duhet të paraqiten vetë dhe të marrin pranë sekretarive dosjen me dokumentet e duhura, të cilën më pas do ta çojnë për procedurat e regjistrimit në preferencën më të lartë. Ndërsa kandidatët që gjatë dy fazave të regjistrimit kanë rezultuar fitues në të njëjtat preferenca, nuk e kanë të nevojshme të bëjnë riregjistrimin.

Sekretaritë e fakulteteve raportojnë vende të shumta të mbetura bosh nga regjistrimi paraprak

Lëvizjet e preferencave dhe zbritja e vizës së fituesve sipas degëve më të parealizuara

Ndonëse duhet edhe një ditë nga mbyllja zyrtare e fazës së parë të regjistrimeve në universitete për pranimet e 2009-2010-s, sekretaritë e fakulteteve raportojnë një numër të konsiderueshëm vendesh të parealizuara. Vendimi i marrë nga Ministria e Arsimit për shtyrjen e afatit të regjistrimeve me dy ditë të tjera nuk është shoqëruar me shtim të fluksit të regjistrimeve, sikundër pritej nga fakultetet. Megjithatë, nesër në mbrëmje pritet të evidentohen dhe kuotat zyrtare të vendeve të mbetura bosh, për të cilat do të ketë një fazë të dytë përzgjedhjeje. Personat e shpallur fitues në fazën e parë, por që nuk janë regjistruar, do të fshihen nga lista e të dhënave. Vendi i tyre do të zihet nga fitues të tjerë, që do të përzgjidhen nga lëvizja e preferencave dhe një fazë tjetër e dytë nga spostimi i vijës së fituesve. “Kandidatët që nuk bëjnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit. Kandidatët fitues kanë kohë për të bërë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur fitues pranë sekretarive mësimore deri më 20 shtator 2009 prej orës 8:00 deri në orën 18:00”, - pohohet nga Ministria e Arsimit.

Vendet bosh

Specialistët e APRIAL-it, agjencisë ku bëhet renditja e fituesve përfundimtarë, pohojnë se menjëherë sapo të mbërrijnë të dhënat nga universitetet për kuotat e realizuara nga regjistrimi paraprak do të realizohet edhe renditja definitive e fituesve. Kështu, fillimisht në varësi të vendeve të mbetura bosh do të bëhet lëvizja e preferencave, ku fituesit paraprakë do të mund të kalojnë nga një preferencë më e ulët në një tjetër më të lartë për shkak të vendit të mbetur bosh. Ndërkohë pas mbylljes së kësaj procedure do të bëhet spostimi i vijës së fituesve me të tjerë maturantë, që nuk ishin përzgjedhur në fazën e parë. Renditja e re do të bëhet automatikisht nga programi kompjuterik dhe pas plotësimit të kuotave zyrtare listat e reja do të printohen dhe do t’u shpërndahen për publikim universiteteve. Më pas do të nis regjistrimi përfundimtar për fituesit. Ashtu si dhe vitin e kaluar, për shkak të kërkesave të studimeve për jashtë vendit, pritet që më shumë se 3000 vende të mbeten bosh nga faza e parë e regjistrimeve. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për kuotat e universiteteve në rrethe.

Faza

Rreth 517 kuota kanë mbetur të parealizuara deri tani për shkak të mospëlqimit të degëve nga maturantët (për fakultetet e rretheve). Këtyre kuotave pritet t’u shtohen edhe vende të tjera të parealizuara, të cilat do të përcaktohen pas mbylljes së dy fazave të para të regjistrimeve. Plotësimi i tyre do të jetë i ndryshëm, jo vetëm me zbritje të listës së fituesve pas mbylljes së regjistrimit paraprak, por edhe me hedhjen në qarkullim të një formulari A-3 preferencash. Për këtë vit akademik janë miratuar nga qeveria për të 215 programet e studimeve në fakultetet publike rreth 19702 kuota, ku dominon me numrin më të lartë të pranimeve Universiteti i Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›