E Diel, 1 Nëntor 2026

Fund premtimeve boshe, po vdesim nga të ftohtët

19/09/2009  E korrektuar

Rreth 35 familje në Vig Mnelë prej 6 vitesh në baraka

Banorët e 35 familjeve të fshatit Vig-Mnelë të rrethit Shkodër kërkojnë nga shteti që t’u japë fund premtimeve boshe për t’i sistemuar nëpër shtëpi. Këta familje përjetuan në vjeshtën e vitit 2003 përmbytjen e banesave, tokës dhe mbytjen e bagëtive për shkak të vërshimit të lumit Gjadër. Për vite të tëra këta familje kanë kërkuar me forma të ndryshme demokratike, si protesta në rrugë bojkot zgjedhjesh, grevë urie, por të gjitha tentativat e tyre shkuan dëm për shkak të premtimeve të pambajtura të pushtetit vendor dhe atij qendror. Fillimisht u duk se shteti nuk i la në baltë pasi u mundua që t’i sistemonte nëpër baraka, ku edhe sot jetojnë tetë familjet më të varfra të asaj zone. Më pas filloi dhe puna për rikonstruksionin e argjinaturave të shkatërruara nga vërshimi i lumit, por edhe kjo ndërhyrje nuk u bë siç duhej. Përsëri, vit pas viti në këtë zonë përmbytej toka. Ndërkohë banorët shpresonin se dikush do të kujdesej për strehimin e tyre. Banorët shprehen se përmbytja e madhe, që arriti në një lartësi prej mesatarisht një metër brenda banesave, solli jo vetëm nxjerrjen e banesave jashtë përdorimit, por dhe mbytjen e bagëtive dhe mbulimin e krejt sipërfaqes së tokës me të cilën të paktën siguronin të ardhura për të jetuar minimalisht. Historia filloi me përmbytjet e vitit 2003, por problemi u ndërlikua sidomos nga përmbytja e vitit 2004, prej lumit Gjadër që erdhi si rrjedhojë e çarjes së digës, duke krijuar probleme të shumta”, shprehen banorët e Vig Mnelës. Banorët kërkojnë zgjidhjen e problemit të shpërnguljes dhe sistemimit të familjeve të mbetura në këtë fshat. Janë 8 familje që për shkak të daljes jashtë funksionimit të banesave të tyre jetojnë prej vitesh në baraka dhe rulotë. Këto familje kërkojnë strehim normal, pasi verës nuk mund të jetojnë nga i nxehti, vjeshtës i mbyt lagështira dhe dimrit ngrijnë nga të ftohtit. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›